Ish-kryeministri Sali Berisha do të udhëtojë më 5 shtator drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një vizitë që do të zgjasë deri më 12 shtator, kur pritet të rikthehet në Shqipëri.
Përveç demokratëve entuziastë, të cilët kanë organizuar një sërë takimesh me liderin e së djathtës shqiptare, në SHBA pritet të ketë edhe zëra kundër tij.
Një grup shqiptarësh kanë vendosur që ta presin me protesta në takimin që Berisha ka njoftuar një ditë më parë me shqiptarët në New Jersey.
“Berisha je non-grata. Berisha në burg”, thuhet në thirrjen për protestë, e cila shoqëron njoftimin e shpërndarë për takimin.
Takimi me shqiptarët në New Jersey, i titulluar “Freedom Works”, do të zhvillohet të dielën, më 6 shtator, në orën 11:00, në Bergen Performing Arts Center, në Englewood, New Jersey.
Sipas njoftimit të publikuar nga Berisha, aktiviteti do të mbahet në adresën 30 N Van Brunt St, Englewood, NJ 07631. Vizita në SHBA vjen pas marrjes së vizës së tij amerikane dhe “përjashtimin” që SHBA ka bërë ndaj Berishës pas masave të vendosura ndaj tij në 2021.
Kujtojmë se më 12 qershor të këtij viti, me shpejtësi në mediat shqiptare qarkulloi lajmi se ndaj Sali Berishës ishte hequr statusi “non grata”.
Sipas informacioneve të bëra publike në atë kohë, kishte qenë e deleguara e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Nancy VanHorn, ajo që kishte kontaktuar personalisht Berishën për ta njoftuar mbi vendimin e marrë nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Mirëpo, kjo vizitë e Berishës vjen pas një lehtësimi që shteti amerikan i dha atij me qëllim që të marrë pjesë në këtë eveniment, dhe nuk ka lidhje me “non gratën” e vendosur ndaj tij.
Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në maj të vitit 2021. Në argumentimin e saj, administrata amerikane e asaj kohe deklaroi se Berisha ishte përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë, duke përmendur keqpërdorimin e fondeve publike dhe ndërhyrjen në procese publike për përfitime personale dhe politike.
Vendimi përfshinte gjithashtu familjen e tij dhe ndalonte hyrjen e tyre në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Berisha e kundërshtoi menjëherë vendimin, duke e cilësuar atë si të motivuar politikisht dhe duke akuzuar kundërshtarët e tij në Tiranë për ndikim në këtë proces. Ai hodhi akuza edhe ndaj zyrtarëve të lartë amerikanë, duke pretenduar se vendimi ishte rezultat i lobimeve politike kundër tij.
Shpallja “non grata” solli pasoja të forta në jetën politike të Partisë Demokratike. Në shtator të vitit 2021, kryetari i atëhershëm i PD-së, Lulzim Basha, vendosi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar demokrat. Ky vendim u pasua nga një përplasje e ashpër politike brenda partisë, e cila kulmoi me lëvizjen e Rithemelimit, mbajtjen e Kuvendit Kombëtar dhe rikthimin e Berishës në krye të Partisë Demokratike në vitin 2022.
Në vitin 2023, Berisha u vendos në masën e sigurisë “arrest shtëpie” në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”, një vendim që ai e konsideroi politik. Pas më shumë se një viti, ai u lirua në fund të vitit 2024 dhe iu rikthye aktivitetit të plotë politik.
