Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala ka dhënë dorëheqjen mesditën e kësaj të mërkure. Nga burimet për mediat thuhet se ministrja e cila u bë pjesë e kabinetit të Ramës një vit më parë, ka vendosur që të largohet nga ky post.
Mësohet se letra e dorëheqjes i është dorëzuar vetë kryeministrit Edi Rama personalisht nga Sala, gjatë një mbledhje të mbajtur këtë të mërkurë në ambientet e Vilës së Kuqe.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë, apo vetë Sala.
Evis Sala u emërua ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në shtator të vitit të kaluar. E diplomuar në Universitetin e Tiranës, ajo ka ndërtuar një karrierë ndërkombëtare në disa prej institucioneve më prestigjioze në botë, mes tyre Universiteti i Kembrixhit, Memorial Sloan Kettering Cancer Center në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Policlinico Gemelli në Romë.
View this post on Instagram
Ajo mban titullin Profesore e Radiologjisë në Università Cattolica del Sacro Cuore në Romë, Itali, ndërsa deri në shtator 2025 ka shërbyer si Drejtore e Programit të Trajnimit në Radiologji në këtë universitet, si dhe si Shefe e Departamentit të Imazherisë Diagnostike dhe Radioterapisë në Fondazione Policlinico Universitario Agostino Gemelli IRCC, në Romë.
Karrierën akademike ndërkombëtare Sala e ka zhvilluar edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Më herët, ajo ka qenë Profesore e Imazherisë Onkologjike në Universitetin e Kembrixhit, ku ka bashkëdrejtuar programet Cancer Research UK Cambridge Centre Advanced Cancer Imaging dhe Integrated Cancer Medicine.
Në Shtetet e Bashkuara, nga viti 2012 deri në vitin 2018, Prof. Sala ka shërbyer si Profesore e Radiologjisë në Weill Cornell Medical College dhe njëkohësisht si Shefe e Shërbimit të Imazherisë Trupore në Memorial Sloan Kettering Cancer Center, në Nju Jork.
Evis Sala ka përfunduar studimet për Mjekësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1991. Në vitin 2000, në Universitetin e Kembrixhit, ajo ka marrë titujt MPhil dhe PhD në Epidemiologji dhe Biostatistikë, ndërsa më pas ka përfunduar edhe specializimin në Radiologji.
Puna e saj shkencore është përqendruar veçanërisht në radiogjenomikë dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në mjekësi. Kontributi i saj në këtë fushë përfshin zhvillimin e metodave sasiore të imazherisë për zbulimin e tumoreve, vlerësimin e heterogjenitetit tumoral dhe parashikimin e ecurisë së sëmundjes.
Për kontributin e saj në fushën e imazherisë onkologjike, Sala është zgjedhur Fellow e International Cancer Imaging Society në vitin 2013, Fellow e International Society for Magnetic Resonance in Medicine në vitin 2015 dhe Fellow e European Society for Urogenital Radiology (ESUR) në vitin 2018.
Në vitin 2022, ajo është nderuar me titullin “Anëtare Nderi” nga Shoqata Radiologjike e Amerikës së Veriut, ndërsa në vitin 2024 me të njëjtin titull nga Shoqata Japoneze e Radiologjisë.
