Është prezantuar ditën e sotme Drejtori i ri i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, Kastriot Skënderaj.
Në ceremoninë e prezantimit, të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, morën pjesë Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, Drejtues Fatmir Hoxha dhe drejtues të strukturave në varësi të DVP Elbasan.
Gjatë prezantimit, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm vlerësoi punën dhe kontributin e dhënë deri më tani nga Hoxhë, teksa nuk la pa përmendur as profesionalizmin e Skënderajt duke u shprehur besimplotë se kjo përvojë e vyer e tij do të vendoset në funksion për përmbushur me sukses detyrat funksionale në garantimin e rendit dhe luftën kundër kriminalitetit.
Sakaq theksojmë se emërimi i Skënderajt në Elbasan vjen pas një karriere të shtrirë në disa prej strukturave të rëndësishme të Policisë së Shtetit, ku Skënderaj ka mbajtur ndër vite detyra të ndryshme drejtuese.
Kastriot Skënderaj nuk është një emër i panjohur për uniformat blu. Ai ka drejtuar më herët Policinë e Tiranës, ndërsa më pas është emëruar këshilltar i Ardi Veliut, kohë kur ky i fundit mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Një tjetër detyrë e rëndësishme në karrierën e tij ka qenë ajo e Drejtorit të Policisë së Vlorës dhe Gjirokastrës, në vitin 2015. Gjatë kësaj periudhe, Policia e Shtetit zhvilloi operacionin e gjerë në Lazarat, ku humbi jetën efektivi i RENEA-s Ibrahim Basha.
Pas kësaj periudhe Skënderaj u rikthye në Tiranë, ku mori drejtimin e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Tiranë, duke vijuar angazhimin e tij në struktura të rëndësishme të Policisë së Shtetit.
Karriera e tij në nivelet drejtuese të policisë u shoqërua edhe me një tjetër zhvillim të rëndësishëm ku më 24 janar ai mori gradën “Drejtues i Parë” së bashku me Ardi Veliun dhe Bledar Çelikun.
