
Pas 23 vitesh muzikë, histori dhe emocione, grupi Burn vjen në skenë me një koncert të veçantë.
“Përtej Muzikës” është titulli i dy netëve që do të zhvillohen më 3 dhe 4 nëntor 2026, në Universitetin e Arteve në Tiranë, ku publiku do të ketë mundësinë të rijetojë disa prej momenteve që kanë shoqëruar rrugëtimin e një prej grupeve më të njohura të rock-ut shqiptar.
Biletat dalin në shitje sot, më 1 shtator, në orën 17:00. Rikthimi i Burn vjen si një udhëtim në kohë, por edhe si një dëshmi se disa histori muzikore nuk përfundojnë kurrë. Përtej tingujve dhe nostalgjisë, koncerti synon të sjellë në skenë emocionet, kujtimet dhe energjinë që kanë karakterizuar grupin gjatë më shumë se dy dekadave.
Historia e Burn nisi më 1 gusht 2003, kur disa të rinj të apasionuar pas rock-ut vendosën të krijonin një grup që do të sillte një tjetër frymë në skenën muzikore shqiptare. Edhe emri i grupit ishte një homazh për një prej emrave më të mëdhenj të rock-ut botëror, Deep Purple, nga kënga ikonike “Burn”.
Tashmë, 23 vite pas nisjes së këtij rrugëtimi, Burn vjen aty ku gjithçka merr kuptim, në skenë dhe përballë publikut.
