Disa ditë pasi kryebashkiaku Erion Veliaj shkarkoi nga detyra kryetaren e komanduar Anuela Ristani, mësohet se këtë të martë ka dhënë dorëheqjen edhe Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Tiranë, Eldi Hoxha.
Pas dorëheqjes së Hoxhës, mësohet se kryebashkiaku Veliaj ka emëruar si Sekretar të Përgjithshëm të Bashkisë Tiranë, Alban Dokushi. Për këtë të fundit bëhet fjalë për rikthim në këtë detyrë, pasi më herët e ka mbajtur këtë post, por u shkarkua nga Ristani.
Po Gjykata Administrative e Apelit në datë 3 qershor të këtij viti, la në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke e cilësuar të paligjshëm largimin e tij nga detyra.
Dokushi konsiderohet një nga figurat kyçe të administratës së Bashkisë së Tiranës, si dhe njihet si krahu i djathtë i kryebashkiakut. Ai ishte pranë Veliajt gjatë paraqitjes së tij në SPAK përpara arrestimit, ndërsa më pas u bë personi i parë që e vizitoi në ambientet e paraburgimit.
Kujtojmë që ditën e djeshme, Anuela Ristani dha dorëheqjen ditën e djeshme, duke i hapur rrugë zgjedhjes së një drejtuesi të ri të komanduar.
“Largohem sot me krenari, përulësi dhe plot dashuri për Tiranën”, shkruante Ristani ndër rreshta, duke bërë me dije se ka vendosur që të lërë dhe postin e nënkryetares, post të cilin e mbante para se Veliaj të burgosej.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili ndodhet në qelitë e paraburgimi që nga 10 shkurti 2024, shkarkoi të premten nga detyra kryetaren e komanduar të Bashkisë Tiranë Anduena Risani.
Në vendimin e tij të shpërndarë për mediat, Veliaj argumenton se delegimi i përkohshëm i detyrave të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës ishte vendosur si një masë organizative e përkohshme, me qëllim garantimin e vijimësisë së funksionimit të administratës dhe shërbimeve publike të këtij institucioni.
Më tej kryebashkiaku argumentoi se një ndër arsyet që ai ka marrë vendimin për shkarkimin e Ristanit është edhe mosrespktimi nga kjo e fundit urdhërave që ai ka dhënë. Ndërsa më tej ai shton se Ristani me veprimet ose mos veprimet e saj ka cënuar zinxhirin normal të përgjegjësisë dhe drejtimit institucional të Bashkisë së Tiranës.
