Versionet për ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në ambientet e hotelit “FLAR”, në zonën e Malit të Robit, vijojnë të jenë të ndryshme. Së fundmi nga arratia ka reaguar Arbër Habilaj, një prej pronarëve të këtij hoteli i cili ka treguar me detaje se si ka ndodhur ngjarja sipas tij, që prej ditës së parë kur kamarieri 18-vjeçar u punësua në subjektin e tyre dhe deri në ditën e sherrit.
18-vjeçari Genti Nela ka deklaruar se kishte nisur punë si banakier në hotelin “FLAR” më 10 korrik dhe se për punësimin kishte biseduar me Florian dhe Arbër Habilajn. Sipas versionit të tij, më 27 gusht ai u kishte kërkuar pagesën pasi kishte vendosur të largohej nga puna për të nisur një tjetër angazhim, por kërkesa për largim nuk ishte pranuar.
Nga ana tjetër Arbër Habilaj, në dëshminë e tij para gazetarit Spartak Koka ka dhënë një tjetër version, duke pretenduar se hoteli ishte planifikuar të hapej në korrik, por u hap vetëm më 10 gusht, ndërsa me kamarierin ishte rënë dakord për një pagë prej 600 mijë lekësh në muaj dhe sipas tij, të riut i ishte dhënë pagesa edhe për periudhën kur hoteli nuk kishte nisur aktivitetin.
Mirëpo përgjatë gjithë kësaj fashe kohore kur dhe subjekti ende nuk ishte hapur, i riu nuk ishte paraqitur në punë, dhe pasi hoteli u hap, Habilaj, kishte vënë re probleme në mënyrën e punës së 18-vjeçarit, e si rrjedhojë kishin vendosur që ta largonin.
Madje nga dëshmia e biznesmenit del një tjetër detaj, ku sipas asaj që ai ka pohuar vetë 18-vjeçari kishte biseduar me një tjetër person për të lidhur një tjetër kontratë pune.
Sipas versionit të Arbër Habilajt, konflikti nisi kur vëllai i tij i kërkoi Gentit të shkonte të merrte pagesën për ditët që kishte punuar dhe të largohej, por 18-vjeçari kërkoi të qëndronte edhe dy ditë, deri të dielën. Debati, sipas tij më pas u përshkallëzua brenda hotelit, ku Habilaj pretendon se Genti mori një gotë dhe ia theu në kokë vëllait të tij, duke e plagosur.
Pjesë nga dëshmia:
Arbër Habilaj: Ne kemi një hotel në Mal të Robit. Donim ta hapnim që në muajin korrik, por nuk kishim mundësi ta hapnim në korrik dhe e hapëm në gusht. Më 10 gusht e hapëm, me thënë të drejtën. Këtë kamarierin e gjeti vëllai dhe e mori që në muajin korrik. Nga korriku deri në muajin gusht nuk erdhi, nuk na erdhi aty, te prona.
Spartak Koka: Nuk erdhi sepse nuk ishte hapur hoteli apo...?
Arbër Habilaj: Nuk erdhi sepse nuk ishte hapur hoteli. Dhe në momentin që ne i thamë që do të vish te hoteli kurdo që të hapet, ne do të japim pagesën edhe ti të mos na vish asnjë ditë.
Spartak Koka: Pra, i keni thënë vetë të mos vijë?
Arbër Habilaj: Po, po.
Spartak Koka: Sa keni rënë dakord për rrogë me të?
Arbër Habilaj: 600 mijë lekë në muaj. Tani, nga data 10 korrik deri në 10 gusht që ne e hapëm, ai nuk ka qenë asnjëherë te hoteli. Mund të ketë qenë dy herë ditët e fundit, pra 8-9 gusht para se të hapej për të sistemuar diçka dhe më datën 11 gusht ose 12 gusht ai ka marrë komplet pagën 600 mijë lekë të muajit që nuk ka qenë. Pra, nga data 10 korrik deri më 10 gusht, sepse i premtuam, i dhamë fjalën. Llafe goje, llafe burrash. Edhe erdhi në punë, unë e shikoja që në fillim që nuk ishte i aftë për atë lloj pune, që te shërbimi, që te komunikimi me njerëzit, me mua, me vëllain. Por, hajt se çun i ri, ndoshta është tipi vetë.
Vëllai e dëgjoi këtë duke folur në telefon me një person tjetër për punë, do të ikte të dielën, ishte e enjte dhe do të ikte të dielën. Ne e kishim bërë në mend për ta hequr, sepse nuk ishte i aftë për atë lloj pune. Ne i thoshim bëj këtë, ai nuk e bënte, rrinte gjithë ditën kot i ulur. Unë kam edhe foto që ai është ulur gjatë gjithë kohës duke luajtur me telefon. Edhe erdhi puna dhe i tha vëllai: "Gent, ti deri këtu je, shko poshtë, shih sa ke për të marrë dhe të ikësh."
Spartak Koka: Ku të shkonte poshtë?
Arbër Habilaj: Te pjesa e lokalit, se ishin sipër këta, kishin bërë muhabet sipër te pjesa e pishinës, sepse kam një pishinë lart. Edhe i kishte thënë: "Shko poshtë që të shikosh sa ke për të marrë."
Spartak Koka: Me kë duhet ta shikonte?
Arbër Habilaj: Me burrin e motrës time, sepse ai merret me ato pagesat. Nuk merrem unë me atë. Sa ke për të marrë ti, sa ke bërë punën, dhjetë ditë, merr lekët, mirupafshim, gjithë të mirat dhe kaq. Dhe shkon poshtë. Ky më pret mua. Unë e shikoj që më pret mua. Unë i kisha thënë vëllait që unë do e heq, sepse nuk është për këtë punë. Ta mbash në punë kot aty është gjynah nga Zoti, sepse kemi harxhuar lekë pa fund dhe nuk është nevoja që të rrijë më. Shko merr lekët dhe mbaroi punë.
Vjen më thërret mua dhe më thotë: "Fola me Florin, të tha gjë, se më tha do të flas me Arbërin." I thashë unë: "Për çfarë gjëje?" Më tha mua: "Për punën, se më tha të iki nga puna." Po i thashë unë, çfarë problemi ka? Edhe më tha: "Ti më mbaj dhe dy ditë, se unë të dielën do të iki." Edhe i thashë që s'kam përse të të mbaj unë edhe dy ditë, se do të ikësh ti të dielën. Sa ditë ke që ke punuar, merr rrogën dhe mbaro. Jo, po si të iki unë, unë të dielën do ik dhe më mbaj edhe dy ditë. Kjo ka qenë gjithë muhabeti.
Unë i kam thënë: o shok i dashur, shko merr pagën dhe ik, nuk ke punë që të rrish dy ditë. Unë mund të shes hotelin, të iki me pushime, nuk të dua të rrish më. Ai më thotë: nuk ta bëj hallall, por gjithsesi tha, ne flasim, do shihemi. Hyn brenda dhe shante. Vëllai ishte brenda, ky futet te banaku, e pa që ne u mërzitëm, kap gotën dhe gotën ia ka thyer vëllait në kokë. Vëllain e kam të gjakosur dhe e kam te Policia në Durrës. Nga ai sherr aty, sherr me grushta, nuk ka pasur fare.
Spartak Koka: Pastaj ju i jeni kundërpërgjigjur atij.
Arbër Habilaj: Normal që i jemi kundërpërgjigjur. Po unë di të them vetëm të drejtën. Unë di vetëm fjalën e drejtë.
Spartak Koka: Sa veta keni goditur?
Arbër Habilaj: Dy veta, unë dhe vëllai. E kemi goditur. Kanë shkuar të dy në spital, edhe ai me vëllain.
