Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë duartrokitur dhe vlerësuar punën e Shqipërisë sa i përket riatdhesimit të shtetasve të saj nga Siria.
Përmes një reagimi të bërë publik nga ambasada amerikane në vendin tonë, SHBA ka përshëndetur operacionin e fundit të ndërmarrë nga autoritetet shqiptare të cilët bënë të mundur rikthimin në shtëpi të pesë shtetasve, dy gra dhe tre fëmijë.
“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë Shqipërinë për riatdhesimin e shtetasve të saj nga Siria, dy gra dhe tre fëmijë të kthyer së fundmi, të cilëve u mundësohet një e ardhme me mbështetje për rehabilitim dhe riintegrim. Një fitore për këto familje dhe për sigurinë globale”, thuhet në reagimin e bërë nga ambasada.
Më 26 gusht 2026, përfundoi me sukses operacioni për riatdhesimin vullnetar nga Siria të pesë shtetasve shqiptarë, në mesin e të cilëve ishin gra dhe fëmijë.
Operacioni ka qenë kurorëzim i një pune të gjatë dhe të kujdesshme, që kërkoi koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve shqiptare, përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira. Riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nga zona të prekura nga konflikti është shprehje e përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të vet, edhe në rrethana të vështira dhe komplekse.
