Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar pas hyrjes në fuqi të rregullores së re të GJKKO-së, duke shprehur keqardhje dhe zhgënjim për vendimin e marrë. Përmes një reagimi të bërë në rrjetin sociale Facebook, AGSH thekson se rregullorja ka hyrë në fuqi sot, që sipas saj, shqetësimet dhe rekomandimet të ngritura më herët nga mediat nuk janë marrë në konsideratë.
Po ashtu AGSH bën me dije se kishte kërkuar që para hyrjes në fuqi të rregullore së re të zhvillohej një proces konsultimi me gazetarët dhe përfaqësuesit e medias.
AGSH-ja shprehet se mbetet e gatshme për bashkëpunim dhe dialog konstruktiv, por paralamëron se do të ndjek rrugë të tjera për kundërshtimin e rregullores.
Reagimi i plotë:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh keqardhjen dhe zhgënjimin që, prej sot, 1 shtator, ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pavarësisht shqetësimeve dhe rekomandimeve të ngritura më herët nga komuniteti i gazetarëve dhe organizatat vendase e ndërkombëtare të medias.
AGSH kishte kërkuar që përpara hyrjes në fuqi të Rregullores të zhvillohej një proces konsultimi me gazetarët dhe organizatat përfaqësuese të medias, veçanërisht për dispozitat që ndikojnë drejtpërdrejt në punën e reporterëve, përfshirë kufizimin e përdorimit të telefonave celularë gjatë seancave gjyqësore.
Ne vlerësojmë rolin dhe përgjegjësinë e GJKKO-së për garantimin e mbarëvajtjes së proceseve gjyqësore, por besojmë se ky objektiv mund dhe duhet të harmonizohet me të drejtën e medias për të raportuar dhe me të drejtën e publikut për t'u informuar.
Ne mbetemi të gatshëm për bashkëpunim dhe dialog konstruktiv, por do të përdorim të gjitha mjetet për ta atakuar këtë vendim.

