Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ka firmosur së fundmi për rishikimin e kufirit të moshës për pranimin në Policinë e Shtetit, duke zgjeruar kështu mundësitë për të rinjtë, profesionistët me përvojë dhe punonjësit që vijnë nga struktura të tjera të sigurisë.
Mësohet se vendimi për zgjerimin e kufirit të moshës për të gjithë të interesuarit që duan të bëhen pjesë e radhëve, vjen në përgjigje të kërkesave të shumta të adresuara përmes rrjeteve sociale dhe komunikimeve të drejtpërdrejta.
Sipas urdhrit, kufiri i moshës për pranimin në Polici rishikohet deri në 35 vjeç për kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë dhe synojnë të angazhohen në role zbatuese, përfshirë shërbimin në Patrullën e Përgjithshme, përmes ndjekjes së Kolegjit Bazë. Brenda të njëjtit kufi moshe, deri në 35 vjeç, mund të ndjekin studimet Bachelor në Akademinë e Sigurisë edhe kandidatët që synojnë të hyjnë në strukturat e Policisë në rolin e parë drejtues, me gradën nënkomisar.
Mundësi të reja krijohen edhe për profesionistët me arsim të lartë. Personat që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë, me profile të përshtatshme, si ekonomi, financë, teknologji informacioni etj., mund të pranohen në rolin e parë drejtues deri në moshën 40 vjeç, pas përfundimit të kursit të specializuar për nënkomisarë.
Ndërkohë, për punonjësit që vijnë nga institucione të tjera të sigurisë, kur plotësojnë kriteret e përcaktuara dhe kalojnë procedurat përkatëse të pranimit, nuk do të ketë kufizim moshe.
Reagimi i Lamallarit:
