Mund ta themi me plot gojë dhe bindje të plotë se trofeu për dasmën e vitit i takon me meritë, Kidës dhe Ajbit.
Mes njerëzve të zemrës, familjarëve, miqve dhe kolegëve çifti i dha fund beqarisë pasditen e së hënës në një super dasmë madhështore të mbajtur në një nga qytetet që cilësohet dhe si “qyteti i dashurisë”, pas Parisit dhe Venecias sigurisht! Roma, mikpriti dje të ftuarit e Kidës të cilët festuan e trokitën gotat për lumturinë e çiftit të ri.
“Villa Miani” rezidenca historike e vendosur në majën e Monte Marios, me një pamje spektakolare mbi kryeqytetin italian, ishte “strehëza” ku Kida dhe Ajbi nënshkruan fillimin e jetës së tyre të re. Gjithçka ishte e përsorur! Duke filluar padyshim që nga dekori e deri te atmosfera.
Qershia mbi tortë padyshim që ishte Kida e cila përgjatë gjithë pasdites së djeshme, e deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, u shfaq e veshur me disa fustane nusërie, dhe sigurisht dhe me modele të ndryshme flokësh.
E sa i përket atmosferës, merreni me mend vetë! Si mund të ishte ndryshe, kur në një ambient të vetëm ishin bërë bashkë këngëtarët më të mirë të Shqipërisë dhe Kosovës. Duke filluar që nga Ylli Limani, Dafina Zeqiri, Shkurte Gashi, Ermal Fejzullahu...etj.
Mes të fuarëve ishte Luana Vjollca e cila mirëpriti dhe ditëlindjen aty, Jonida Maliqi e cila u shfaq me Aleesion, personin që dhe thuhet se i ka vjedhur zemrën këngëtares.
E si shqiptarë që jemi padyshim që gjithkujt i ka shkuar në mendje shumat marramendëse që Kida dhe Ajbi kanë shpenzuar për këtë dasmë. Nga “burime” lart e poshtë u tha më herët se vetëm hapësira ku dhe u mbajt dasma madhështore kushtonte deri në 25 mijë euro qiraja, ndërsa bashkë me stafin dhe organizimin, shpenzimet mund ta kenë kaluar shifrën prej 70 mijë eurosh.
Të shumta kanë qenë ato video në rrjetet sociale, të cilat “vluan” nga kjo dasmë. Kida dhe Ajbi dukeshin mjaft të lumtur në këtë ditë kaq speciale të tyre, dhe ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë çiftit të ri jetën e lumtur!
