
Shqipëria reagoi me shqetësim ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mbi mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe përfshirjen e ekspertëve dhe institucioneve serbe në shqyrtimin e një projekti të tillë.
Në një deklaratë në platformën ‘X’, ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, tha se ndërhyrja nuk mund të konsiderohet çështje e brendshme e Serbisë, veçanërisht kur pasojat mund të prekin territorin, mjedisin, furnizimin dhe sigurinë ujore të Kosovës.
“Çdo projekt ose masë që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë apo cilësinë e ujërave që prekin Kosovën duhet të trajtohet me transparencë, mbi bazën e të dhënave shkencore, me vlerësim të plotë të ndikimit ndërkufitar dhe përmes konsultimit me palën e prekur,” shkruan Hoxha.
“Shqipëria pret që Serbia të respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë,” shtoi ai.
Lumi Ibër është një nga burimet ujore kryesore për Kosovën, pasi furnizon Liqenin e Ujmanit dhe sistemin ujor Ibër-Lepenc, nga i cili varen furnizimi me ujë i një pjese të konsiderueshme të popullsisë, ftohja e termocentraleve, industria dhe ujitja e tokave bujqësore. Lumi buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe hyn në veri të Kosovës, ku ushqen Ujmanin, përpara se të rikthehet sërish në territorin serb. Çdo ndërhyrje në rrjedhën e sipërme të Ibrit që do të pakësonte prurjet drejt Kosovës mund të kishte pasoja për furnizimin me ujë dhe sigurinë energjetike të vendit.
Hoxha i kujtoi Serbisë se është palë që prej vitit 2010 në Konventën e Komisionit Ekonomik të OKB-së për Europën, UNECE, për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare.
“Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik apo si mjet për të ndëshkuar një vend apo popullsi tjetër,” shkruan Hoxha.
Ministri shqiptar shprehu gjithashtu mbështetjen për të drejtën e Kosovës për të mbrojtur burimet e saj ujore dhe bëri thirrje që mosmarrëveshjet të trajtohen përmes dialogut dhe bashkëpunimit.
“Ne besojmë fort dhe presim që çështje të tilla të trajtohen përmes dialogut, bashkëpunimit dhe standardeve evropiane, jo përmes kërcënimeve apo ndërhyrjeve e veprimeve të njëanshme,” përfundoi kryediplomati shqiptar.







