Shefi i UNMIK-ut: Çështja e personave të zhdukur nuk duhet kurrë të politizohet
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), në ditën ndërkombëtare të viktimave të zhdukura me dhunë, përmes një komunikate ka shprehur qëndrimin se përpjekjet për të përcaktuar fatin e personave që ende mungojnë nga lufta në Kosovë “duhet të mbesin gjithëpërfshirëse, të bazuara në të drejtat e njeriut dhe – mbi të gjitha – të fokusuara tek viktimat dhe familjet e tyre”.
Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyruara (me forcë), Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK-ut, Peter Due, tha se me gjithë ‘përparimin e konsiderueshëm’, shumë persona vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen e mosdijes për fatin e tyre.
“Çështja e personave të zhdukur nuk duhet kurrë të politizohet. Përparimi domethënës varet nga bashkëpunimi, besimi dhe angazhimi i përbashkët për t’iu dhënë familjeve përgjigjet që meritojnë.”- citohet të ketë thënë Due.
Mbi 1,500 persona mbeten të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Gjetja e fundit e mbetjeve njerëzore në Zubin Potok, që besohet t’u përkasin së paku 23 individëve, është kujtesë e fuqishme se edhe pas dekadash pritjeje, përgjigjet mund të gjenden ende.
“Ne qëndrojmë pranë të gjitha familjeve që kanë pritur kaq gjatë për ndriçimin e fatit të tyre dhe bëjmë thirrje që të drejtat dhe nevojat e tyre të qëndrojnë në qendër të përpjekjeve. UNMIK-u do të vazhdon përkrahjen e ndihmës psikologjike dhe mënyrave të tjera të ndihmesës për këto familje.”, theksoi Due, duke vënë në pah se tematika e Ditës Ndërkombëtare të këtij viti është “Viktimat në rend të parë. Të veprohet tani”- thuhet në komunikatë.
Shefi i UNMIK-ut, bëri thirrje për zbatimin e plotë të Deklaratës së BE-së mbi personat e zhdukur, angazhimin e vazhdueshëm përmes Grupit të punës për personat e zhdukur, dhe përpjekjet e përbashkëta midis Beogradit dhe Prishtinës për të gjetur dhe identifikuar të zhdukurit.
Kjo ditë përkujtimore gjithashtu shënon 20-vjetorin e Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukjet me Detyrim, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 dhjetor 2006.
UNMIK më tej potencon se do të vazhdojë të mbështesë familjet e personave të zhdukur në kërkimin e realizimit të të drejtës së tyre për të ditur fatin dhe vendndodhjen e të afërmve të tyre, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
U.D. e Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë kanë bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Haxhiu tha se mbi 1,500 persona të zhdukur gjatë luftës ende nuk janë gjetur, ndërsa theksoi se për familjet e tyre pritja vazhdon prej afro tri dekadash.
“Janë edhe mbi 1,500 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës, të cilët ende nuk janë gjetur. Për familjet, pritja vazhdon, ndërsa për Republikën e Kosovës ende vazhdon të jetë një kapitull i hapur, i cili nuk do të mbyllët derisa të gjendet edhe personi i fundit”, tha Haxhiu.
Ndërsa Kurti mes tjerash kërkoi nga Bashkimi Evropian dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë që të ushtrojnë trysni ndaj Serbisë për hapjen e dosjeve.
“Prandaj hapja e dosjeve të fqinjit tonë verior është jetike për zbardhjen e së vërtetës, për varrimet dinjitoze të më të dashurve tanë e sidomos të familjeve të tyre që presin në ankth, dhe gjithashtu edhe për kontributin në paqen e përgjithshme në rajonin tonë”, tha ai.
Kurti tha se mungesa e informacionit nga arkivat e Serbisë po e vështirëson dhe po e rrit koston e procesit të kërkimit në Kosovë.
Mbi 1,500 të zhdukur, Haxhiu e Kurti kërkojnë nga Serbia hapjen e arkivave