IAAP "Anton Çeta", Skenderaj, Foto: Sami Lushtaku/Facebook

Nxënësit e dy shkollave në Skenderaj nuk nisin sot vitin e ri shkollor

Nxënësit e Institucionit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional “Anton Çeta” dhe ata të shkollës fillore “Drenica” në Morinë të Skenderajt nuk do të fillojnë sot vitin e ri shkollor, pasi këto shkolla janë duke u rinovuar.

Kastriot Duraku, drejtor i Arsimit në Skenderaj ka thënë për KALLXO.com se nxënësit e këtyre shkollave do të fillojnë vitin shkollor pas dy javësh.

“Janë duke u rinovuar dy shkolla… Deri më 14 shtator, nuk mundemi me fillu mësimin në këto dy shkolla. [Fillimi i mësimit] Shtyhet për dy javë, pastaj i zëvendësojmë me të shtune, diele ose me pushime dimërore, vjeshtore.” – ka deklaruar Duraku.

Ai ka thënë se rinovimi ka nisur para një muaji e dy jave. Ai u arsyetua se vonesa ka ndodhur për shkak të një materiali ndërtimi që furnitori i kontraktuar për rinovimin e shkollave është dashur ta marrë nga Gjermania.

Drejtori Duraku ka treguar se vlera e tenderit për rinovimin e IAAP “Anton Çeta” është mbi 200 mijë euro, kurse ajo për rinovimin e shkollës “Drenica” 40 mijë euro.

Sipas tij, në shkollat tjera në Skenderaj ka nisur sot viti i ri shkollor.

Sami Lushtaku, kryetari i Komunës së Skenderajt e kishte vizituar IAAP “Anton Çeta” më 18.08.2026 gjatë rinovimeve.

Në anën tjetër, viti i ri shkollor 2026/2027 ka nisur në të gjitha shkollat në Lipjan, Viti e Gjakovë. Këtë e kanë konfirmuar për KALLXO.com drejtorët e arsimit nga këto komuna.

Hajrulla Çeku, ministri në detyrë i Arsimit i ka uruar nxënësit për vitin e ri shkollor. Ai e ka vizituar Shkollën “Isa Boletini” në Isniq të Deçanit sot, më 1 shtator.

“Urime të dashur nxënës, paçi shëndet dhe një vit shkollor të mbarë!.. Ishte kënaqësi të isha në mesin e nxënësve dhe të ndaja me ta emocionet e fillimit të një viti të ri shkollor. Uroj që secili prej tyre të ketë një vit të mbushur me dije, shoqëri të mira e shumë momente të bukura. Mësimdhënësve e prindërve, punë të mbarë dhe faleminderit për përkushtimin e përditshëm.” – ka shkruar Çeku në Facebook.

Në Prishtinë është shtuar numri i shkollave që nisin mësimin tërë ditor dhe ato janë: Shkolla “Mehmet Gjevori”, Shkolla “Afrim Gashi”, Shkolla në Vranidoll dhe Shkolla “Asim Vokshi”.

Kurse nga viti i kaluar, me mësim tërëditor vazhdojnë shkollat: “Zenel Hajdini” në Prishtinë, “Ditët e Minatorit” në Kishnicë (model i plotë për klasat 1–9), “Ganimete Terbeshi” në Llukar, “Pjetër Bogdani” – Prishtinë, “Avni Rrustemi” në Mramur, “Teuta” në Grashticë dhe “Ali Kelmendi” në Barilevë.

Mësimin tërëditor e nisën këto shkolla për herë të parë më 2024 në kryeqytet: “Model-Qamil Batalli”, “Shkollën e Gjelbër”, “Xhemail Mustafa”, “Faik Konica” e “Nazim Gafurri”.

Një ditë më parë, KALLXO.com raportoi se ditarët për klasa dhe materialet pedagogjike ende nuk janë shpërndarë në shkolla të Kosovës.

KALLXO.com merr vesh se Shtëpia Botuese “Pema” është licencuar nga Ministria e Arsimit për shtypjen e materialeve pedagogjike për vitin shkollor 2026/2027.

Gjashtë drejtorë komunalë të Arsimit e konfirmuan për KALLXO.com më 31.08.2026 se shkollat ende nuk janë furnizuar me ditarët e klasave dhe materialet pedagogjike të nevojshme për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

KALLXO.com e ka pyetur Shtëpinë Botuese “Pema” dhe Ministrinë e Arsimit nga data 31.08.2026 për këtë rast, por ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Nesër nis viti i ri shkollor, por ditarët dhe materialet pedagogjike ende s’janë shpërndarë në shkolla

Ky është viti i katërt që Ministria e Arsimit po e subvencionon blerjen e teksteve shkollore.

Në bazë të vendimit të ministrit Hajrulla Çeku, prindërit të cilët i kanë fëmijët në klasën e parë apo të dytë po subvencionohen për tekste shkollore në vlerë prej 60 euro; për klasën e 3-të në vlerë prej 65 euro; për klasën e katërt në vlerë prej 70 euro; të pestën në vlerë prej 80 euro; të gjashtën e shtatën në vlerë prej 90 euro; kurse për të tetën dhe të nëntën 100 euro.