Dy të akuzuar për vendosjen e barrikadave në veri, dënohen me 21 muaj burgim

Dushan Dobrac, i akuzuar për dy vepra penale: ‘bashkim në veprimtari kundër rendit kushtetues’ dhe ‘pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës’, ka marrë dënim unik prej 12 muajsh burgim. Gjashtë muaj është dënuar për veprën e parë dhe gjashtë muaj për veprën e dytë.

Kurse i akuzuari tjetër, Millosh Radosavleviq, është dënuar vetëm për veprën penale “bashkim për veprimtari kundër rendit kushtetues me qëllim sulmin kundër rendit kushtetues”. Ai është dënuar me 9 muaj burgim.

Dushan Dobrac dhe Millosh Radosavleviq, të akuzuar për vendosjen e barrikadave në veri të vendit në vitin 2022, fillimisht kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.

Kështu, lënda ndaj dy të akuzuarve që kanë arritur marrëveshje, është veçuar dhe është proceduar me elaborimin e marrëveshjeve.

Prokurori Admir Shala, ka thënë se marrëveshja mes PSRK-së dhe dy të akuzuarve është lidhur sipas dispozitave ligjore, në prani të avokatëve, me vullnetin e të akuzuarve pa presion.

Ai ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë me të akuzuarit.

Edhe avokatët Boban Petkoviq dhe Mahmut Halimi, për të akuzuarit Dushan Dobrac dhe Millosh Radosavleviq, kanë thënë se marrëveshjen e kanë arritur me vullnet dhe klientëve të tyre u janë sqaruar pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë.

Dy të akuzuarit nuk kanë shtuar asgjë rreth marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Gjyqtari Rrahman Beqiri pasi dëgjoi palët, aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Sipas njoftimit të gjyqtarit, Beqiri, marrëveshja është arritur me 30.04.2026.

Gjykimi për të akuzuarit, Dushan Maksimoviq, Nemanja Joloviq, Sërrgjan Vuçiniq do të vazhdojë në një datë tjetër, pasi me të filluar gjykimi me datë 31.08.2026 është konstatuar se mungon i akuzuari Nenad Orlloviq dhe avokati Bogdan Llaziq, i cili mbron të akuzuarin Sërrgjan Vuçiniq. Për këtë arsye, gjykimi ndaj katër të akuzuarve nuk ka mundur të vazhdojë dhe lënda është veçuar vetëm për dy të akuzuarit që kanë arritur marrëveshje për pranimi ne fajësisë.

Kurse për të akuzuarin, Nenad Orlloviq sipas gjyqtarit, Beqiri, është lëshuar fletrreshtim ndërkombëtar pasi i njëjti nuk është paraqitur as në seancën e kaluar e as në seancën e datës 31.08.2026.

Beqiri ka thënë se Policia e Kosovës ka zbatuar urdhëresën e gjykatës për ta ftuar të akuzuarin të paraqitet në seancën e sotme, por se, fqinjët e Orlloviqit kanë thënë se i njëjti nuk jeton më në Kosovë sepse është shpërngulur në Serbi.

Millosh Radosavleviq sa i përket dënimit ka shtuar se është penduar për të gjithë që ka bërë e që ka qenë i detyruar.  Sipas të akuzuarit ai jeton në shtëpinë e gjyshërve dhe jeton në kushte të mesme ekonomike dhe se nuk është duke punuar momentalisht.

Çka thotë Prokuroria për rastin e barrikadave në veri të vendit në dhjetor të viti 2022? 

Në aktakuzë thuhet se Dushan Maksimoviq, Millosh Radosavleviq dhe Nemanja Joloviq përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, mbi urën tek udhëkryqi i Banjskës, në komunën e Zveçanit, kishin vendosur barrikada.

Ata kishin bllokuar rrugën kryesore me mjete të rënda, konkretisht kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera, ndërsa në afërsi të barrikadave ishin hapur edhe pozicione të improvizuara luftarake (istikame).

Përmes këtyre veprimeve, siç bëhet e ditur në aktakuzë, të pandehurit kishin penguar institucionet dhe Policinë e Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare në komunat veriore të vendit.

Nga data 10.12.2022 deri më 29.12.2022, në komunën e Zveçanit, Dushan Drobac, sipas Prokurorisë, ka marrë pjesë si anëtar i një grupi për kryerjen e veprës penale të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

I akuzuari Sërgjan Vuçiniq, në cilësinë e shefit të njësisë punuese të pastrimit në kompaninë “Standard”, në bashkëveprim me strukturat ilegale dhe grupe kriminale, si dhe me të pandehurin Nenad Orlloviq, në mënyrë të kundërligjshme kishin përdorur automjetet e kësaj kompanie me ç’rast kishin bllokuar rrugët kryesore duke i vendosur këto automjete në pjesë të ndryshme të veriut të Republikës së Kosovës, si barrikada.

I pandehuri Nenad Orlloviq, në cilësinë e punëtorit të kompanisë të lartcekur, më 29.12.2022 i maskuar dhe në shoqëri me një person tjetër ende të paidentifikuar, në fshatin Rudarë dhe në udhëkryqin te Shkolla Teknike në Mitrovicën e Veriut, kishin marrë pjesë aktive në bllokimin e rrugëve.

Përmes këtyre veprimeve akuzohen se kanë pamundësuar ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe Policisë në atë pjesë të territorit të vendit.

Bllokimi i rrugëve kishte ardhur pas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq, i cili dyshohej për organizim për sulm në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut, ku edhe ishin sulmuar zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zyrtarët e Policisë.

KALLXO.com ka raportuar edhe për atë se tre nga të akuzuarit në rastin e barrikadave të vitit 2022 kanë pasur më herët precedent penal dhe janë dënuar në raste të tjera të profilit të lartë.

Dushan Drobac ishte shpallur fajtor për sulmin ndaj KFOR-it dhe më 18 dhjetor 2024 u dënua me 18 muaj burgim dhe 15 mijë euro gjobë.

Nenad Orlloviq, gjithashtu i dënuar për sulmin ndaj KFOR-it, mori më 21 qershor 2024 një dënim prej 15 muajsh burgim dhe 12 mijë euro gjobë.

Ndërkaq, Dushan Maksimoviq është dënuar në shkallë të parë më 24 prill 2026 me 30 vjet burgim, si pjesë e grupit të të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë.

Tutje, KALLXO.com gjithashtu ka raportuar edhe rreth bisedave telefonike që zhvillonin të akuzuarit e këtij rasti me persona të tjerë, rreth organizimit dhe funksionalizimit të barrikadave në veri të vendit, si dhe fotografitë përmes të cilave u identifikuan të akuzuarit.