Ilustrim

Aktakuzë ndaj djalit për vrasjen e nënës së tij

Prokuroria Themelore në Prizren më 31 gusht 2026 –  Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj F.B., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Sipas aktakuzës, më 20 janar 2026, në fshatin Restelicë të Komunës së Dragashit, pas një fjalosje me nënën e tij, T. B., i pandehuri F. B. e ka sulmuar fizikisht atë, duke e goditur me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit.

Si pasojë e lëndimeve të rënda të shkaktuara, viktima ka pësuar shok traumatik dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Sipas aktakuzës pas ngjarjes,  i pandehuri e ka vendosur trupin e viktimës në divan dhe e ka mbuluar me batanije. Trupi më pas është zbuluar nga të afërmit e viktimës, të cilët kishin shkuar në shtëpi të shqetësuar për gjendjen e saj.

Tutje, në aktakuzë thuhet se, bazuar në ekzaminimin psikiatrik dhe psikologjik hospitalor të kryer në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, në momentin e kryerjes së veprës penale, aftësia e të pandehurit për të kuptuar rëndësinë e veprimeve të tij dhe për t’i kontrolluar ato ka qenë e zvogëluar në shkallë jo esenciale.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet dhe të dënohet sipas ligjit.