Armë dhe qindra fishekë gjenden në dy shtëpi të pabanuara në Zubin Potok

Në dy shtëpi të pabanuara në Zubin Potok janë gjetur dhe konfiskuar armë dhe municion.

Në rastin e parë, janë gjetur një pushkë gjuetie, 119 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe barut për mbushjen e fishekëve.

“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti po hetohet nga ekipet relevante”- thuhet në raportin policor.

Po ashtu, në një shtëpi tjetër të pabanuar janë gjetur një kondak i pushkës së gjuetisë dhe 253 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Edhe ky rast, sipas Policisë, po hetohet, me ç’rast është njoftuar prokurori.

Më 17.07.2026, KALLXO.com raportoi se 51 raste të gjetjes së armëve janë regjistruar gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 në katër komunat veriore të Kosovës.

Komuna e Zubin Potokut prin me 25 raste të identifikuara.

Krahasuar me vitin e kaluar, është shënuar rritje e këtyre rasteve, ndërsa që nga viti 2023 janë evidentuar gjithsej 70 raste të tilla.

Po ashtu, KALLXO.com  ka raportuar se Policia e Kosovës ka sekuestruar 16 armë zjarri vetëm gjatë javës së kaluar në rajonin e Prishtinës.

51 raste të gjetjes së armatimit në veri gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 – VIDEO