Betohen nëntë anëtarët e rinj të KQZ-së, mbetet pezull vendi për të cilin 'luftojnë' LVV edhe PDK
Anëtarët e rinj të Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë betuar para ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Ndonëse parashihet që KQZ-ja t’i ketë 10 anëtarë, së bashku me kryetarin 11, para Haxhiut u betuan vetëm nëntë anëtarë të rinj, derisa kryetari Kreshnik Radoniqi veçse është në mandatin e tij.
Haxhiu ende nuk ka zgjedhur mes kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për tre anëtarë dhe Partisë Demokratike të Kosovës për dy të tillë.
Hysen Durmishi dhe Violeta Emini Salihu u betuan si anëtarë nga LVV-ja, Rashit Qalaj nga PDK-ja, Ilir Fetahu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Muharrem Nitaj nga Aleanca, Stefan Filipovic nga Lista Serbe, Yildiray Bayrami nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, Delvir Tairi nga Koalicioni Vakat dhe Abedin Neziraj nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës.
Edhe në mandatin e kaluar, të legjislaturës së 10-të, KQZ ishte pa një anëtar, për shkak se LVV kërkonte tre anëtarë e PDK dy.
Në atë kohë, ish-presidentja Vjosa Osmani kishte thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar tre anëtarë dhe janë emëruar vetëm dy, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës – subjekti më i madh opozitar – ka kërkuar dy dhe është emëruar vetëm një, duke argumentuar se partitë kanë kërkuar më shumë anëtarë sesa parasheh Kushtetuta.
“Mirëpo, ky rast është ngritur mbi një bazë tjetër ligjore, jo mbi të njëjtën që është ngritur në rastet e mëparshme, qoftë nga ish-presidenti [Hashim] Thaçi, qoftë nga ana ime. Se kjo çështje ka qenë e paqartë përgjatë viteve për secilin president në fakt. Dhe shpresoj që më në fund gjykatat ta sqaroj. Momentin që sqarohet, vijohet me emërimet”- ishte shprehur asokohe Osmani.
Në anën tjetër, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, më 24.03.2026, pati deklaruar se si parti besojnë që u takon t’i kenë tre anëtarë në KQZ.
“Besojmë që si subjekti që kemi mbi 51% të votave të qytetarëve, gjegjësisht numrin më të madh të deputetëve, e dukshëm më të madh edhe se të partive të tjera bashkërisht, na takon si Lëvizje Vetëvendosje t’i kemi tre anëtarë në KQZ”- kishte thënë ajo.
Edhe pas zgjedhjeve të vitit 2021, Osmani kishte lënë pezull emërimet e opozitës duke pritur interpretimin e Kushtetueses. Në fund, skenari u mbyll me një tërheqje: LVV mbeti me dy anëtarë, ndërsa PDK e LDK siguruan anëtarët e tyre të dytë.
Edhe atëkohë, Presidentja fillimisht kërkoi mendim nga Gjykata Kushtetuese (Rasti KO 88/21) para se t’i emëronte, por Gjykata e shpalli kërkesën e saj të papranueshme.
Nga partitë shumicë, në fund u emëruan dy nga LVV-ja, dy nga PDK-ja, dhe nga një nga LDK-ja dhe AAK-ja.
Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara.
Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.
Një anëtar emërohet nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetin serb të Kosovës dhe tre anëtarë nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetet e tjera që nuk janë shumicë në Kosovë.