16 armë zjarri u sekuestruan brenda një jave në rajonin e Prishtinës

Policia e Kosovës ka sekuestruar 16 armë zjarri gjatë javës së kaluar në rajonin e Prishtinës.

Drejtoria Rajonale Policore e Prishtinës ka njoftuar se gjatë të njëjtës periudhë janë shqiptuar edhe 4,314 masa administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor.

Tutje thuhet se 570 prej këtyre gjobave janë evidentuar nga vetura inteligjente dhe vetura me radar mobil.

Sipas kësaj drejtorie, gjatë një jave janë realizuar 82 urdhëresa të gjykatës, ku prej tyre 41 ishin për vepra penale ndërsa tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime e të tjera.

“Në përputhje me urdhëresat, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa.” – thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.