Policia e Kosovës
Dëmtohen me granatë dy shtëpi dhe një veturë në Prishtinë
31.8.2026 - 10:12
Persona të panjohur dyshohet se kanë hedhur një mjet shpërthyes – granatë, në oborrin e një shtëpie në Prishtinë.
Policia njofton se rasti ka ndodhur më 30.08.2026, rreth orës 01:10, teksa ankuesit kanë deklaruar se personat e panjohur e kanë hedhur mjetin në oborrin e shtëpisë së njërit prej tyre.
Si pasojë e shpërthimit, janë dëmtuar muret e dy shtëpive, si dhe një automjet.
Policia ka bërë të ditur se nga shpërthimi nuk raportohet të ketë persona të lënduar.
Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa rasti është nën hetime.
Rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.