Poliçani sërish në protestë, Këshilli Bashkiak paralajmëron dorëheqje në bllok nëse shkrihet bashkia

Poliçani është sërish në protestë kundër reformës administrative-territoriale dhe mundësisë së shkrirjes së Bashkisë Poliçan.
Këshilli Bashkiak ka marrë një vendim unanim për të kundërshtuar reformën, duke paralajmëruar se, nëse vendoset shkrirja e bashkisë, të gjithë anëtarët e këshillit, së bashku me kandidatët pasardhës në listë, do të japin dorëheqjen.
Këshilli Bashkiak i Poliçanit u ka bërë gjithashtu thirrje 15 bashkive të tjera, të cilat sipas tyre rrezikojnë të preken nga reforma e re administrative, t’i bashkohen protestës, e cila pritet të vijojë përpara Parlamentit Shqiptar.
Një anëtar i Këshillit Bashkiak u shpreh se janë kundër një reforme që, sipas tij, po kërkohet të bëhet me nxitim, brenda pak muajsh, ndërkohë që pasojat e saj mund të zgjasin me dekada.
“Jemi kundër një reforme që kërkohet të bëhet me nxitim, brenda pak muajsh, ndërkohë që pasojat e saj mund të zgjasin me dekada. Kjo reformë rrezikon të ulë zërin, vëmendjen dhe mundësinë që ky komunitet të kërkojë atë që i takon”, tha ai.
Sipas përfaqësuesve të Këshillit Bashkiak, reforma mund të sjellë edhe humbjen e vendeve të punës për shumë profesionistë dhe punonjës të administratës, shërbimeve dhe sektorëve të tjerë.
“Pas çdo vendi pune është një familje, pas çdo shërbimi është një qytetar dhe pas çdo familjeje që largohet është një tjetër hap drejt zbrazjes së qytetit dhe territorit”, u shprehën përfaqësuesit e këshillit.
Protestuesit ngritën shqetësimin edhe për pasojat që, sipas tyre, shkrirja e bashkisë mund të ketë në zhvlerësimin e pronave dhe të ardhmen e qytetit.
“Prona nuk është vetëm një emër në dokumentin e pronësisë. Ajo është kursimi i një jete, shtëpia e prindërve tanë dhe trashëgimia e gjyshërve tanë. Ne nuk mbrojmë thjesht një godinë, por mbrojmë një institucion”, u shprehën ata.
Vendimi unanim i Këshillit Bashkiak erdhi pas takimeve të zhvilluara me banorët në njësitë administrative Vërtop, Tërpan dhe Poliçan, ku është kërkuar kundërshtimi i çdo plani që parashikon shkrirjen e Bashkisë Poliçan.
Këshilltarët kanë paralajmëruar se, në rast se reforma miratohet dhe Bashkia Poliçan shkrihet, dorëheqja e tyre do të jetë e menjëhershme dhe unanime.
Një anëtar i Këshillit Bashkiak deklaroi se nuk pranojnë që qyteti të shkrihet dhe paralajmëroi se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim.
“Ne nuk pranojmë që qyteti ynë të shkrihet. Nëse do të shkrini Bashkinë e Poliçanit, ne jo vetëm që do të protestojmë sot, por protestat do të vijojnë”, tha ai.
Sipas protestuesve, dita e sotme ishte parashikuar që deputetët të takonin dhe të dëgjonin zërin e banorëve të Poliçanit, por, sipas tyre, asnjë prej tyre nuk u paraqit në qytet, ndërkohë që deputetët zhvilluan takime në tre bashki të tjera të qarkut.
Protestuesit u kanë bërë thirrje të gjitha bashkive që rrezikohen nga reforma t’i bashkohen protestës, e cila pritet të vijojë përpara Parlamentit Shqiptar.
Gjatë protestës është përcjellë edhe një mesazh i drejtpërdrejtë për Kryeministrin. Një protestues tha se qytetarët ia kanë dhënë besën, por sipas tij, ajo nuk është mbajtur ndaj tyre. Ai i bëri thirrje Kryeministrit të shkojë në Poliçan, të ulet me banorët dhe të dëgjojë zërin e tyre.
“Dëgjoni zërin e qytetarëve. Na lini të jetojmë në qytetin tonë të dashur”, u shpreh protestuesi.
Banorët dhe përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak kanë paralajmëruar se kundërshtimi i tyre do të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa protesta pritet të zhvendoset përpara Parlamentit Shqiptar, me thirrjen që 15 bashki të tjera t’i bashkohen kësaj nisme kundër reformës administrative-territoriale.




