Ambasadorja e re e Bashkimit Europian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, nisi zyrtarisht detyrën në vendin tonë, me paraqitjen e letrave kredenciale pranë Presidentit të Republikës.
Gjatë ceremonisë së posaçme, të zhvilluar në ambientet e Pallatit të Brigadave, Presidenti Bajram Begaj vlerësoi marrëdhëniet mes Brukselit dhe Tiranës, veçanërisht mbështetjen politike, financiare dhe teknike të Bashkimit Evropian për reformat transformuese në Shqipëri.
“Shqipëria është e angazhuar për përmbushjen e objektivit të saj strategjik për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2030. Përfshirja e të gjithë shoqërisë shqiptare në realizimin e kësaj ambicieje dhe entuziazmi i saj për këtë proces janë një tipar që na diferencon dhe na nxit të punojmë edhe më fort për ta arritur këtë objektiv”.
Ambasadorja Moreira de Sousa nënvizoi se anëtarësimi në BE nuk është vetëm një çështje kapitujsh negociatash që duhen mbyllur.
“Rruga e Shqipërisë drejt BE-së ka arritur në një fazë vendimtare, me të gjitha grup-kapitujt të hapur dhe tre kapitujt e parë tashmë të mbyllur. Por anëtarësimi nuk ka të bëjë vetëm me grup-kapituj dhe kapituj. Ai ka të bëjë me përmirësimin e jetës së qytetarëve. Së bashku me ekipin tim, pres me padurim të punoj ngushtë me autoritetet shqiptare dhe me të gjithë partnerët, në koordinim me Shtetet Anëtare të BE-së, për çuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian dhe për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët.”
Presidenti shprehu besimin se, deri në përfundim të mandatit të diplomates portugeze në Shqipëri, vendi do të jetë anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ndërkohë, brenda këtij muaji, pritet të nisë detyrën edhe ambasadori i ri i SHBA, në Tiranë, Eric Wendt. (A2 Televizion)