Shkrimtari Christos Armandos Gezos, i lindur në Himarë dhe i rritur në Greqi, ka rrëfyer një episod nga fëmijëria, kur emri i Sali Berishës përdorej nga fëmijët grekë për ta identifikuar dhe veçuar si shqiptar.
Gjatë një bisede për romanin e tij “Balta” në Apostrof Podcast, Gezos tregoi se episodi i përshkruar në libër, ku fëmijët përdorin emrin e Berishës si një lloj fyerjeje, ishte i bazuar në një përvojë reale.
Sipas tij, në atë periudhë Berisha nuk ishte thjesht politikani shqiptar më i njohur në Greqi, por shqiptari më i famshëm në përgjithësi.
“Berisha atëherë ishte shqiptari më i famshëm. Jo politikani më i njohur, por shqiptari më i famshëm”, tha Gezos.
Ai shpjegoi se në Greqinë e asaj kohe njohuritë për Shqipërinë ishin tepër të kufizuara. Sipas tij, shumë njerëz nuk dinin pothuajse asgjë për vendin fqinj dhe disa prej tyre u habitën vite më vonë, kur Shqipëria nisi të promovohej si destinacion turistik.
Gezos kujtoi se kjo situatë ishte veçanërisht konfuze për të, pasi ai vetë nuk ndiente asnjë lidhje me Berishën. Përkundrazi, në Himarë dhe në jug të Shqipërisë ekzistonte një opinion shumë negativ për të.
“Fëmijët thoshin: ‘Ti je Berisha’, që do të thoshte se ishe shqiptar. Por ne vetë nuk e pëlqenim atë njeri. Ishte një tjetër shtresë konfuzioni”, tregoi shkrimtari.
Ai theksoi se këto fjalë vinin kryesisht nga fëmijë të vegjël, të cilët përsërisnin emra dhe paragjykime pa kuptuar plotësisht domethënien e tyre. Megjithatë, sipas Gezos, raste të ngjashme kishte edhe me persona më të mëdhenj, të cilët ai i konsideronte edhe më problematikë.