Ditari i Opozitës

Berisha: Rama është tmerruar nga protesta, as temperaturat dhe as presioni policor nuk e ndalën

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për vijimin e protestave qytetare, duke deklaruar se ato nuk janë ndalur pavarësisht temperaturave të larta dhe përpjekjeve të qeverisë për t’i penguar.

Berisha tha se Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë politike dhe se protesta e të rinjve përbën, sipas tij, një nga lëvizjet më të rëndësishme qytetare të dekadave të fundit.

Ai akuzoi qeverinë për përdorim të presionit policor dhe kërcënimeve ndaj protestuesve, duke deklaruar se as temperaturat ekstreme dhe as këto masa nuk kanë ndikuar në pjesëmarrjen e qytetarëve.

Berisha: Situata në Shqipëri karakterizohet nga temperaturat më të larta të motit, por dhe kriza më e thellë politike, e cila po përpin çdo ditë e më shumë jetën e vendit. Protesta rinore qytetare vazhdon me një heroizëm epik.

Mijëra e mijëra të rinj, të reja, qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë bënë pluhur të gjitha përpjekjet e Edi Ramës për të dëmtuar, për të ndaluar, për të bllokuar protestën rinore qytetare më madhështore të 35 viteve të fundit.

As temperaturat më të larta, as terroret policeske më të egra, as kërcënimet e pafundme, nuk mposhtën dot qëndresën në kushte të jashtëzakonshme, do të thosha, të qytetarëve shqiptarë kundër Edi Ramës.

Por, më shumë se kushdo tjetër, këtë e fakton vetë Edi Rama, i cili i ndryrë në bunkerin e tij ka zgjedhur të mbajë fjalime, llafollogjira, të cilat në shumë aspekte iu ngjajnë shumë atyre që mbante diktatori dikur apo që mbajnë diktatorët e sotëm në Amerikën Latine.

Narkodiktatori shqiptar, në të gjitha fjalimet e tij, dëshmon dhe fakton tmerrin që i ka kallur në shpirt protesta e fuqishme qytetare.

Të fundit