SPORT

Infantino tërhiqet, dështon plani për privatizimin e Kupës së Botës

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka vendosur të heqë dorë nga plani për të hapur garat më të rëndësishme të organizatës ndaj investimeve private, pas reagimeve të ashpra nga federatat dhe organet drejtuese të futbollit.

Vetë Infantino pranoi se iniciativa kishte shkaktuar ndasi mes anëtarëve të FIFA-s, duke theksuar se përçarjet e krijuara nuk i shërbenin më qëllimit fillestar të projektit. Për këtë arsye, ai konfirmoi se propozimi nuk do të ecë më përpara.

Plani parashikonte që 211 federatat anëtare të FIFA-s të mbështesnin hyrjen e investitorëve privatë në turnetë kryesorë të organizatës, përfshirë Kupën e Botës për meshkuj dhe atë për femra. Në këmbim të votës së tyre, secila federatë do të përfitonte 40 milionë dollarë.

Megjithatë, ideja hasi në rezistencë të fortë, veçanërisht nga UEFA. Organizata që drejton futbollin evropian paralajmëroi se ishte e gatshme të bojkotonte Kupat e Botës nëse projekti do të zbatohej. Edhe konfederata dhe institucione të tjera të futbollit shprehën kundërshtimin e tyre, duke argumentuar se përfshirja e kapitalit privat mund të ndikonte në pavarësinë dhe mënyrën e administrimit të garave më prestigjioze të FIFA-s.

Përballë këtij presioni, Infantino vendosi të tërhiqej, duke mbyllur për momentin një nga projektet më të debatueshme të mandatit të tij.

Të fundit