Rajoni

Masakër në rrugët e Italisë/ 6 të vdekur dhe 27 të plagosur në një aksident zinxhir

-640-0-5e0e23f7ec413a1b7a94c77e51277cce.jpg

Të paktën 6 persona kanë humbur jetën dhe mbi 30 të tjerë janë plagosur si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi në Rrugën Shtetërore 79 "Ternana", në zonën e Colli sul Velino, në provincën italiane të Rietit.

Sipas mediave italiane, në aksident u përfshinë një autobus, një furgon dhe tre automjete. Tre nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike dhe janë transportuar me helikopter drejt spitaleve të rajoneve Lazio dhe Umbria.

Ngjarja ndodhi në segmentin rrugor që lidh Rietin me Ternin, pranë Liqenit Ventina, në dalje të tunelit Greccio. Sipas informacioneve paraprake, gjithçka nisi pas një përplasjeje mes autobusit dhe një furgoni që lëviznin në kahe të kundërta. Si pasojë, në aksident u përfshinë edhe tre automjete të tjera që ndodheshin në afërsi.

Forca e përplasjes ishte aq e madhe sa një prej automjeteve u shkatërrua pothuajse plotësisht, ndërsa një tjetër përfundoi i përmbysur në rrugë.

Për shkak të numrit të madh të të plagosurve, autoritetet aktivizuan edhe helikopterët e urgjencës, ndërsa në Bashkinë e Ternit u ngrit një qendër e Mbrojtjes Civile për koordinimin e operacioneve.

Rruga Shtetërore 79 është mbyllur në të dy drejtimet, ndërsa trafiku është devijuar në rrugë alternative. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit tragjik.

Të fundit