E-TJERA

Shkrumbohen nga flakët dy banesa në Berat

Dy banesa janë përfshirë nga flakët mesditën e kësaj të shtune në lagjen “Çlirim” të qytetit të Beratit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka nisur fillimisht në bahçet e dy banesave të pabanuara dhe më pas është përhapur me shpejtësi drejt ndërtesave, i favorizuar nga temperaturat e larta dhe era.

Pas njoftimit të banorëve, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të mbështetura edhe nga shërbimet e Policisë, të cilat kanë bërë të mundur izolimin e flakëve dhe shmangien e përhapjes së tyre në banesat përreth.

Flakët rrezikuan edhe çatinë e një banese monument kulture, por zjarri u vu nën kontroll pa shkaktuar dëme të mëtejshme.

Pranë vatrës së zjarrit ndodhej edhe një automjet tip “Ford”, i cili pësoi dëmtime në pjesën e përparme nga nxehtësia dhe flakët, por u largua në kohë, duke shmangur pasoja më të rënda.

Të fundit