Lajme

Himara nën flakë, kryebashkiaku thirrje banorëve: Largohuni nga zonat e rrezikuara!

09/04/2026 22:50
nga:Y I

Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e kësaj të premteje në 4 shtator qytetin e Himarës.

Flakët janë përhapur me shpejtësi në kodrat pranë lagjes 1 Maji.

Janë djegur po ashtu edhe sipërfaqet me pemëtari, që ndodhen në këtë zonë.

Në terren ndodhen banorë të Himarës, të cilët po ndihmojnë forcat zjarrfikëse në përpjekje për të vënë nën kontroll flakët.

Për shkak të situatës së vështirë dhe erës së fortë, e cila favorizon përhapjen e zjarrit, zjarrfikësit kanë kërkuar edhe ndihmën e forcave të tjera nga bashkitë fqinje.

Puna e forcave në terren është përqendruar në izolimin e përparimit të flakëve dhe mbrojtjen e banesave dhe pronave që ndodhen në zonë.

Situata nga zjarret në Himarë është tepër kritike.

Kryebashkiaku i qytetit Vangjel Tavo ka bërë thirrje urgjente, që qytetarët të largohen nga shtëpitë, pasi flakët po i afrohen qytetit.