Lajme

Dogana shënon rritje të të hyrave, Kurti tregon rezultatet dhe reformat e reja

09/04/2026 13:09
nga:L J

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Dogana e Kosovës ka arkëtuar 1 miliard e 347 milionë euro të hyra deri tani, apo 6 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

Kurti ka theksuar se nga viti 2021 deri më 2025, të hyrat e Doganës kanë shënuar rritje të vazhdueshme, ndërsa në këtë periudhë janë arkëtuar gjithsej 8 miliardë e 380 milionë euro.

Sipas tij, paralelisht me rritjen e të hyrave, janë ndërmarrë edhe reforma për lehtësimin e veprimtarisë së bizneseve. Ndër to përmendet deklarimi i mallrave para arritjes, i cili, sipas Kurtit, ka ndikuar në uljen e kohës së procesimit për rreth 70 për qind.

Kurti ka përmendur edhe forcimin e kontrolleve kufitare dhe përdorimin e teknologjisë, duke veçuar funksionalizimin e skanerit në Merdarë për identifikimin dhe parandalimin e kontrabandës.

Në kuadër të modernizimit të Doganës, ai ka bërë të ditur se po avancojnë edhe projekte si Dritarja e Vetme Kombëtare, Tranziti i Përbashkët, automatizimi i proceseve dhe forcimi i kapaciteteve teknologjike.