Guendouzi, Greenwoodi e Fenerbahçe e pësojnë rëndë nga UEFA, shkaku i sjelljeve në ndeshjen ndaj Lyonit - Gazeta Express
string(101) "guendouzi-greenwoodi-e-fenerbahce-e-pesojne-rende-nga-uefa-shkaku-i-sjelljeve-ne-ndeshjen-ndaj-lyonit"

Futboll

Gazeta Express

05/09/2026 0:00

Guendouzi, Greenwoodi e Fenerbahçe e pësojnë rëndë nga UEFA, shkaku i sjelljeve në ndeshjen ndaj Lyonit

Futboll

Gazeta Express

05/09/2026 0:00

UEFA ka shqiptuar dënime të rëndësishme pas skenave kaotike që shënuan ndeshjen e kthimit të “play-offit” të Ligës së Kampionëve mes Lyonit dhe Fenerbahçes.

Organi disiplinor u fokusua veçanërisht tek ish-mesfushori i Arsenalit, Matteo Guendouzi, dhe ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Mason Greenwoodi, pas përleshjes që shpërtheu pas përfundimit të ndeshjes në stadiumin “Groupama”.

Pasojat e përplasjes së tensionuar mes Lyonit dhe Fenerbahçes më 26 gusht kanë sjellë sanksione të rënda për disa prej figurave kryesore.

Në qendër të polemikave ishte Guendouzi, sjellja provokuese e të cilit ndaj tifozëve vendas dhe lojtarëve kundërshtarë u cilësua si një prej faktorëve që çoi në përleshjen masive pas vërshëllimës së fundit.

Organi qeverisës konfirmoi se Guendouzi është gjobitur me 50 mijë euro dhe është pezulluar për katër ndeshje në garat e klubeve të UEFA-s, megjithëse dy prej këtyre ndeshjeve janë pezulluar për një periudhë prove prej një viti.

Si rrjedhojë, mesfushori do të mungojë në dy ndeshjet e para të Fenerbahçes në fazën e ligës së Championsit, ndaj Romës dhe Aston Villës.

Guendouzi nuk ishte i vetmi lojtar i profilit të lartë të Fenerbahçes që u dënua, pasi edhe Greenwoodi mori një pezullim dhe një gjobë financiare.

Sulmuesi u dënua për rolin e tij në përleshje, duke marrë një ndeshje pezullim dhe një gjobë prej 30 mijë eurosh.

CEDB-ja (Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës) bëri të ditur se dënimi erdhi “për shkeljen e rregullave themelore të sjelljes së mirë”, ndërsa edhe ky pezullim shoqërohet me një periudhë prove prej një viti.

Klubi turk duhej të përgjigjej jo vetëm për veprimet e lojtarëve të tij, por edhe për sjelljen e tifozëve që udhëtuan drejt Francës.

Në deklaratën zyrtare u detajuan edhe gjobat financiare ndaj Fenerbahçes: “Ta gjobisë Fenerbahcen me 30 mijë euro për ndezjen dhe hedhjen e mjeteve piroteknike, 15 mijë euro për trazirat e shkaktuara nga tifozët dhe 50 mijë euro për shkeljen nga ekipi i tij të rregullave të përgjithshme dhe themelore të sjelljes”.

Kjo përmbyll një proces të ashpër disiplinor për klubin nga Stambolli pas udhëtimit të tij në Francë.

Ndërkohë, edhe Lyoni nuk i shpëtoi sanksioneve të CEDB-së.

Dënimi më i rëndësishëm individual iu dha trajnerit të portierëve të Lyonit, Antonio Ferreira, i cili u pa duke vrapuar drejt Guendouzit në momentet më të tensionuara të përleshjes.

Ferreira është pezulluar për pesë ndeshje për “sulm serioz”, ndërsa dy prej këtyre ndeshjeve janë pezulluar për një periudhë prove prej një viti.

Lyoni gjithashtu u përball me një seri gjobash për menaxhimin e stadiumit dhe sjelljen e tifozëve gjatë ndeshjes së tensionuar të “play-offit”.

CEDB-ja vendosi: “Ta gjobisë Olympique Lyonnais me 48 mijë euro për hedhjen e objekteve, 5,500 euro për ndezjen e mjeteve piroteknike, 5 mijë euro për trazirat e shkaktuara nga tifozët dhe 50 mijë euro për shkeljen e rregullave të përgjithshme dhe themelore të sjelljes”./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement
✕