Një burrë i rrëmbyer në Britaninë e Madhe ka arritur të shpëtojë nga pengmarrësit pas një arratisjeje dramatike, duke u hedhur nga dritarja e katit të parë në drejtim të një peme dhe më pas duke ndaluar një makinë policie që po kalonte pranë.
Ngjarja kishte nisur më 4 korrik të vitit të kaluar, kur viktima ishte joshur drejt një adrese në Market Rasen, Lincolnshire, ku më pas ishte mbajtur kundër vullnetit të tij.
Gjatë kohës sa mbahej peng, ai iu nënshtrua dhunës, kërcënimeve dhe poshtërimit, ndërsa autorët madje filmuan disa nga momentet e keqtrajtimit me telefonat e tyre.
Më pas, burri u fut me forcë në pjesën e pasme të një automjeti dhe u dërgua në një banesë tjetër në Lincoln, ku vazhdoi të mbahej peng.
Pamjet e publikuara nga policia tregojnë momentin kur ai arrin të dalë nga një dritare e katit të parë, kalon mbi një ballkon dhe hidhet drejt degëve të një peme.

Pasi bie në tokë, ai ngrihet dhe nis të vrapojë përgjatë rrugës.
Në atë moment, një makinë policie po afrohej në drejtimin e tij.
Viktima doli përpara automjetit, hipi në pjesën e pasme dhe u kërkoi ndihmë policëve.
Efektivët e dërguan menjëherë në një vend të sigurt dhe nisën operacionin për arrestimin e personave të dyshuar për rrëmbimin.
Dy prej tyre u arrestuan nga policia e armatosur pasi u larguan nga banesa me një automjet tip “pickup”, ndërsa tre të dyshuarit e tjerë u arrestuan më vonë gjatë së njëjtës mbrëmje në Market Rasen.
Pesë personat u paraqitën para Gjykatës së Kurorës në Lincoln më 28 gusht, ku u dënuan me burgime që varionin nga 3 vjet e 7 muaj deri në 9 vjet.
Gjykata vendosi gjithashtu një urdhër ndalimi pa afat, duke ua ndaluar të dënuarve çdo kontakt me viktimën dhe familjen e tij.
Hetuesi Liam Henderson tha se viktima kishte kaluar një përvojë jashtëzakonisht të rëndë, të shoqëruar me dhunë, kërcënime dhe poshtërim.
Sipas tij, vendimi për t’u arratisur në ato rrethana kërkoi guxim të jashtëzakonshëm dhe i mundësoi viktimës t’i jepte fund pengmarrjes. /GazetaExpress/