Dr. Phil McGraw ka vënë në qendër të vëmendjes numrin e madh të raportimeve për UFO që, sipas tij, Pentagoni nuk i ka hetuar asnjëherë, pavarësisht fushatës së gjerë të qeverisë amerikane për deklasifikimin e dokumenteve që lidhen me këto fenomene.
Në një video të publikuar të mërkurën, Dr. Phil deklaroi se është “absolutisht i bindur” se qeveria amerikane i ka mashtruar qytetarët për rreth 80 vjet, duke fshehur informacione për takime të pashpjegueshme me UFO dhe kontakte të mundshme me jetë jashtëtokësore.
Megjithëse nuk pretendoi se posedon prova për ekzistencën e anijeve jashtëtokësore, personaliteti i njohur televiziv dhe autori tha se më shumë se 1 mijë e 800 raportime serioze për UFO nga qytetarët janë injoruar nga Pentagoni.
“A mund të shpjegohen disa prej tyre? Jam i sigurt se po, ndoshta edhe të gjitha, nuk e di. Çështja është se askush në qeveri nuk po i shqyrton këto raste”, tha McGraw.
Ai ka kritikuar edhe më parë mënyrën se si janë publikuar dokumentet, fotografitë dhe videot që pretendohet se lidhen me dosjet qeveritare për UFO.
Sipas McGraw, e gjithë fushata e transparencës është në fakt një mashtrim i madh që vazhdon ta mbajë publikun larg së vërtetës për jetën jashtëtokësore.


“Shumica prej jush janë po aq të zemëruar sa unë që qeveria na ka gënjyer drejtpërdrejt në fytyrë. Ajo që më zemëron më së shumti është se nuk ekziston asnjë agjenci qeveritare ku qytetarët e zakonshëm amerikanë mund të raportojnë UAP-të”, tha ai.
UAP është termi që përdoret sot për “fenomene anomale të paidentifikuara” dhe që në masë të madhe ka zëvendësuar termin tradicional UFO.
Në shkurt, presidenti Donald Trump urdhëroi Departamentin amerikan të Luftës që të mbikëqyrte deklasifikimin dhe publikimin e të gjitha dokumenteve që lidhen me UFO-t dhe jetën jashtëtokësore.
Deri më tani janë publikuar pesë grupe dokumentesh, kryesisht nga FBI, CIA, NASA dhe Pentagoni.
Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre kanë përmbajtur raporte të paqarta, informacione që nuk lidhen drejtpërdrejt me çështjen ose imazhe tepër të paqarta për t’u konsideruar prova konkrete.
Në videon e re të publikuar në X, McGraw sulmoi drejtpërdrejt qeverinë federale, duke pretenduar se pothuajse të gjithë qytetarët privatë në SHBA janë lënë jashtë procesit të raportimit dhe diskutimit për UAP-të.
Sipas tij, 93 për qind e amerikanëve nuk kanë asnjë mënyrë zyrtare për t’i raportuar qeverisë apo ushtrisë një vëzhgim të mundshëm të një UFO-je.
Kjo do të përfshinte më shumë se 310 milionë njerëz.
Zyrtarisht, personat që mund të dorëzojnë drejtpërdrejt një raport te qeveria federale për objekte të pazakonta fluturuese apo fenomene të tjera janë punonjës aktualë ose ish-punonjës federalë, pjesëtarë të ushtrisë, kontraktorë të qeverisë dhe pilotë.
“Qeveria po mbyll sytë ndaj shumicës së amerikanëve. Pra, nëse qeveria nuk dëshiron ta shohë këtë informacion, kush po e sheh? Ku po përfundojnë të gjitha këto të dhëna?”, pyeti McGraw.

“Nëse 99 për qind e rasteve rezultojnë se nuk kanë asgjë të pazakontë, në rregull. Po me atë një për qindëshin tjetër çfarë ndodh?”
Sipas Dr. Phil, qytetarëve të zakonshëm u mbeten vetëm dy databaza private, joqeveritare, ku çdokush mund të raportojë vëzhgime të UFO-ve apo përvoja të tjera të pashpjegueshme.
Ato janë “National UFO Reporting Center”, NUFORC, dhe “Mutual UFO Network”, MUFON.
McGraw theksoi se NUFORC aktualisht ka 1 mijë e 855 raportime të klasifikuara si “Tier 1”.
Kjo kategori përfshin rastet që organizata i konsideron ndër më të vështirat për t’u shpjeguar dhe që, sipas saj, nuk mund të hidhen poshtë lehtësisht si zogj, balona, defekte kamere apo avionë të ndërtuar nga njeriu.
Sipas McGraw, edhe pse këto raste janë analizuar në mënyrë të pavarur dhe janë cilësuar si fenomene që mund të kenë shpjegime të pazakonta, asnjë prej 1 mijë e 855 raportimeve nuk ka gjasa të jetë hetuar nga autoritetet federale.
Kjo do të thotë se ato nuk janë përfshirë në procesin aktual të deklasifikimit dhe publikimit të dosjeve për UFO-t.
Ndërkohë, zyra e Pentagonit që merret me hetimin e fenomeneve të tilla, e njohur si “All-domain Anomaly Resolution Office”, AARO, ka premtuar vazhdimisht se në të ardhmen do të pranojë raportime edhe nga publiku i gjerë.
Megjithatë, kjo ende nuk ka ndodhur.
Në një deklaratë, AARO tha: “Ju lutemi vini re se raportimi aktualisht është i kufizuar te punonjësit aktualë ose ish-punonjësit e qeverisë amerikane, personeli ushtarak ose kontraktorët që kanë njohuri të drejtpërdrejta për programe ose aktivitete të qeverisë amerikane që lidhen me UAP-të dhe që datojnë që nga viti 1945.”
“AARO aktualisht NUK pranon raportime për vëzhgime apo takime me UAP nga publiku i gjerë. Në të ardhmen, mundësia për raportim do të zgjerohet edhe për publikun dhe do të përfshijë raportime për çdo ngjarje që lidhet me UAP-të.”
Kongresistja republikane nga Florida, Anna Paulina Luna, e cila drejton grupin e Dhomës së Përfaqësuesve për deklasifikimin e sekreteve federale, e ka kritikuar më parë AARO-n, duke e akuzuar se ka penguar përpjekjet e Kongresit për të zbuluar më shumë informacione mbi rastet e UFO-ve.
Ajo ka akuzuar zyrën e ish-drejtorit të AARO-s, Sean Kirkpatrick, për bllokim dhe fshehje të informacioneve mbi UAP-të nga Kongresi dhe publiku.
Kirkpatrick u largua nga AARO më 1 dhjetor 2023.
“Ata duhet të thonë: ‘Ja mënyra se si mund ta dorëzoni raportin tuaj përmes kanaleve të duhura’. Por nuk ekziston asnjë kanal, as i duhur dhe as i gabuar”, deklaroi McGraw.
“Tetëdhjetë vjet duke na thënë ‘na besoni’ nuk na kanë çuar askund.”
“Unë nuk u besoj aspak për këtë çështje”, përfundoi Dr. Phil. /GazetaExpress/