Oliger Torba është emëruar drejtor i Policisë së Tiranës, duke marrë drejtimin e strukturës më të madhe të Policisë së Shtetit.
Torba mbante më herët detyrën e drejtorit të komanduar të Policisë së Tiranës. Për të marrë zyrtarisht detyrën, Torba duhej të merrte edhe gradën përkatëse.
Emërimi i tij në krye të Policisë së kryeqytetit vjen në kuadër të ndryshimeve të fundit në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit.
Lëvizjet në radhët e uniformave blu nuk janë kufizuar vetëm në Tiranë. Ndryshime në strukturat drejtuese të policisë janë shënuar gjithashtu në Berat, Korçë dhe Elbasan.
Kastriot Skënderaj është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Ai merr detyrën pas largimit të Fatmir Hoxhës, i cili deri tani drejtonte këtë strukturë.
Hoxha është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku është emëruar specialist në Drejtorinë për Integrimin.
Ndryshime ka edhe në strukturat e Policisë në Berat dhe Korçë. Luigj Vathi, nga detyra e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë.
Në këtë post, ai zëvendëson Drejtuesin Gëzim Zhupaj, i cili transferohet nga detyra e Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë dhe emërohet Shef Sektori në Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, Kryekomisari Dashnor Muhaj transferohet nga detyra e Zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe emërohet specialist për Migracionin e Parregullt në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/