TIRANË- Përplasja për pagat e magjistratëve ka kaluar në një tjetër nivel. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosën rritjen e pagës referuese për gjyqtarët dhe prokurorët, ndërsa Thesari i Shtetit ka bllokuar ekzekutimin e pagave të muajit gusht.
Sipas raportimeve të bëra më herët, KLGJ dhe KLP kanë vendosur që, duke nisur nga 1 gushti 2026, paga referuese e magjistratëve të jetë 222.425 lekë, nga 156.800 lekë që ishte më parë. Mbi këtë shumë aplikohet edhe një shtesë prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.
Vendimi i dy institucioneve erdhi pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi në shkurt formulën e mëparshme të pagave dhe i la Kuvendit afat deri më 31 korrik për të miratuar një formulë të re.
Por afati përfundoi pa miratimin e një formule të re nga Parlamenti. Në këto kushte, KLGJ dhe KLP përcaktuan vetë pagën referuese, duke sjellë një rritje prej 65.625 lekësh në bazën mbi të cilën llogariten pagat.
Tashmë, situata ka kaluar në planin financiar. Thesari i Shtetit ka pezulluar pagat e gushtit për magjistratët, duke mos ekzekutuar listëpagesat e miratuara sipas formulës së re.
Në lidhje me këto zhvillime ka reaguar dhe opozita, përmes deputetit Blendi Himçi. Ky i fundit e cilëson vendimin një akt të pashembullt dhe një ndërhyrje të rëndë ndaj shtetit të së drejtës.
Në reagimin e tij, deputeti akuzon kryeministrin për shkelje të vendimeve gjyqësore dhe për presion ndaj magjistratëve, duke e interpretuar bllokimin e pagave si një formë hakmarrjeje politike. Sipas Himçit, një veprim i tillë cenon drejtpërdrejt funksionimin e drejtësisë dhe tregon se pushteti ekzekutiv po vendoset mbi ligjin.
Reagimi i plotë:
Një turp i paprecedentë. Ministria e Financave, përmes Drejtorisë së Thesarit, ka bllokuar pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Një akt i pashembullt, një dhunim i hapur ndaj shtetit të së drejtës.
Kryeministri sillet si monark absolut. Nuk njeh ligj, nuk njeh gjykatë, nuk njeh kufij. Me arrogancën e tij, ai shkel vendimet e gjykatës dhe i trajton magjistratët si armiq personalë. Nga njëra anë propagandon “Besën” ndaj shqiptarëve, nga ana tjetër i mohon të drejtën më elementare: pagën e punës së tyre.
Ky nuk është shtet. Ky është uzurpim. Kjo nuk është drejtësi. Kjo është hakmarrje politike. Ky nuk është respekt ndaj qytetarëve. Është fasadë e konsumuar, një gënjeshtër e radhës e një kryeministri ordiner, të cilit prej 13 vitesh i ka dalë boja.
Të bllokosh pagat e magjistratëve është të bllokosh vetë drejtësinë. Dhe kur drejtësia bllokohet, vendi nuk ka më shtet. Ka vetëm pushtet.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/