TIRANË- Klodiana Spahiu pritet që të jetë pasuesja Evis Salës në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. Spahiu është me profesion mjeke, dhe aktualisht përveç mandatit të deputetes në qarkun e Durrësit, mban edhe postin e nënkryetares së Kuvendit nga radhët e socialistëve. Evis Sala dha dje dorëheqjen nga posti i ministres së shëndetësisë, pas më pak se një viti në detyrë. Ajo u largua me pretendimin se do të ndiqte karrierën akademike. Vendimi për emërimin e Spahiut në postin e Ministres së Shëndetësisë pritet që të kalojë në seancën parlamentare të së martës.
KUSH ËSHTË KLODIANA SPAHIU
Spahiu ka lindur më 22 maj 1973 në Durrës. Ajo ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, në degën Mjekësi e Përgjithshme, në vitin 1997. Në periudhën 1998-2002 është specializuar në Kardiologji pranë QSUT-së “Nënë Tereza”, në Tiranë.
Gjatë karrierës së saj profesionale, Spahiu ka kryer disa specializime në fushën e kardiologjisë joinvazive, përfshirë ekokardiografinë, PU-EKG dhe Eko-Doppler të karotideve, pranë Universitetit Katolik “Sacro Cuore”, Fakulteti i Mjekësisë dhe Kirurgjisë “Agostino Gemelli”, në Romë.
Në vitet 2003-2004 ka vijuar studimet pasuniversitare pranë Fakultetit të Mjekësisë, ndërsa në vitin 2005 ka kryer specializim në Kardiologjinë Invazive, kateterizimin dhe koronarografinë e zemrës në Spitalin “Santa Chiara” në Pisa të Italisë.
Në vitet 2012-2014 ka përfunduar masterin profesional në Menaxhim Shëndetësor.
Spahiu ka ushtruar profesionin e mjekes në Klinikën e Parë të Kardiologjisë në QSUT dhe gjatë viteve 2003-2009 ka punuar si mjeke kardiologe dhe në repartin e patologjisë në Spitalin e Durrësit. Më pas është zgjedhur drejtore e këtij spitali.
Paralelisht, ajo ka pasur edhe një angazhim në fushën akademike. Në vitet 2002-2003 ka qenë pedagoge në Departamentin e Lëndëve Paraklinike në Universitetin e Tiranës, ndërsa në vitin 2006 ka qenë pedagoge e jashtme e fiziologjisë në Universitetin Privat “UFO” në Tiranë.
Prej vitit 2008 e në vazhdim ka qenë docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”, Tiranë. Ajo mban gjithashtu titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.
Në politikë, Klodiana Spahiu është deputete e Kuvendit të Shqipërisë që prej vitit 2009. Gjatë viteve të aktivitetit parlamentar ka qenë pjesë e disa komisioneve dhe nënkomisioneve parlamentare, si dhe ka drejtuar apo qenë anëtare e grupeve të miqësisë, gjithashtu edhe nënkryetare e Kuvendit.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/