Dy aventurierë motoristë janë raportuar të zhdukur në zonën e Majës së Jezercës, teksa mësohet se për gjetjen e tyre është vënë në lëvizje një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi.
Pasi u mor njoftimi për humbjen e kontaktit me ta, në terren janë angazhuar forcat e Policisë së Shtetit, si edhe ekipet e kërkim-shpëtimit të cilat janë duke zhvilluar kërkime, në atë që njohet edhe si një nga zonat ë të vështira të alpeve shqiptare.
Sipas Top Channel, në mbështetje të operacionit është mobilizuar edhe departamenti i Motoristëve i Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, të cilët kanë njoftuar se ekipet ndodhen në terren dhe po punojnë intensivisht në aksionin e kërkimit të dy motoristëve, shtetësia dhe identiteti i të cilëve nuk është bërë ende i ditur.
“Departamenti i Motoristëve i Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim është angazhuar në një aksion kërkimi dhe orientimi për dy motoristë të humbur në zonën e Jezercit.
Ekipet tona janë në terren dhe po punojnë intensivisht për lokalizimin e tyre. Shpresojmë që shumë shpejt motoristët të gjenden dhe të kthehen të sigurt.”, ka lajmëruar Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim.
