Pak ditë pas aksidentit tragjik që i mori jetën dy të rinjve shqiptarë në Kretë të Greqisë, mësohet se pas nisjes së Edison Xhakës drejt Shqipërisë ku trupi i tij do prehet, edhe ceremonia mortore e Aleksandër Toçilës do të zhvillohet në vendlindjen e tij, në Gramsh.
Lajmin e ka bërë të ditur Shoqata Shqiptare Kisamo "Kastel", e cila përmes një postimi të ndarë dje në rrjet, bëri me dije se në orën 20:00 të mbrëmjes së djeshme, trupi i Aleksandrit do të nisej nga porti i Sudas për në Shqipëri.
“Aleksandri do të prehet në vendlindjen e tij në Gramsh , duke iu shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve , miqve dhe shoqërisë, ftojmë bashkatdhetarët tanë t'i japim lamtumirën e fundit Aleksandrit” shkruhej në postimin e bërë ditën e djeshme.
Siç kemi raportuar dhe të premten që lamë pas, u tha se trupi i Edisonit që vdiq së bashku me Aleksandrin në aksidentin tragjik me motor, do të prehet në vendlindjen e tij, në Njësinë Administrative Zavalinë të Elbasanit.
Për Edisonin është bërë me dije se ceremonia mortore e tij do të zhvillohet ditën e sotme. Ndërsa për Aleksandrin nuk ka ende një konfirmim.
Humbja tragjike e dy të rinjve ka tronditur mbarë opinionin publik, por më së shumti ka prekur familjarët e miqtë e tyre të cilët zemërthyer kanë reaguar për humbjen e djemve të tyre.
Newsbomb.al i shpreh ngushëllime dy familjeve shqiptare për humbjen tragjike të djemve të tyre.
Reagimi i Shoqatës:
Lajmërim .
Sot në mbrëmje në orën 20:00 , niset nga porti i Sudas për Shqipëri, trupi i të ndjerit Aleksander Toçila , i cili u nda nga jeta 2 ditë në parë në aksidentin e frikshëm me motorr në aksin kombëtar Kissamos -Hania.
Aleksandri do të prehet në vendlindjen e tij në Gramsh , duke iu shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes,të afërmve , miqve dhe shoqërisë, ftojmë bashkatdhetarët tanë t'i japim lamtumirën e fundit Aleksandrit .
U prehsh në paqe Aleksandër , të qoftë dheu i lehtë !

