Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga ecuria e punimeve në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, duke bërë të ditur se puna po vijon me ritme të larta.
Përmes një postimi në Facebook, Rama e cilësoi këtë projekt si një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, duke theksuar se përfundimi i tij do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e qarkullimit të automjeteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.
Sipas kryeministrit, investimi do të krijojë gjithashtu më shumë mundësi për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonave që lidhen nga ky aks.
“Punimet në rrugën Elbasan–Qafë Thanë vijojnë me ritme të larta, duke sjellë çdo ditë më pranë përfundimin e një prej investimeve më të rëndësishme infrastrukturore në vend. Ky projekt do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin, do të rrisë sigurinë rrugore dhe do të krijojë më shumë mundësi për zhvillimin ekonomik e turistik të zonave që lidhen përmes këtij aksi. Vijojmë me #PunëteShqipërisë, me infrastrukturë moderne dhe funksionale, që i përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe vizionit për Shqipërinë 2030,” shkruan Rama.
