Është vënë nën kontroll zjarri që ra këtë të shtunë në fshatin Drenovë të Mallakastrës, falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse.
Në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan 6 mjete zjarrfikëse dhe mbi 50 efektivë nga repartet e Mallakastrës, Patosit, Roskovecit dhe Fierit. Në terren ishin gjithashtu të pranishme shërbimet e Bashkisë Mallakastër dhe Policia Bashkiake.
Përhapja e zjarrit u favorizua nga era e fortë dhe temperaturat e larta, duke bërë që flakët të përhapen drejt zonave të banuara.
Si pasojë e zjarrit janë djegur rreth 7 hektarë sipërfaqe me ullinj dhe pyll me shkurre.
Ndërkohë forcat zjarrfikëse vijojnë të qëndrojnë në terren për monitorimin e situatës dhe për të ndërhyrë menjëherë në rast të riaktivizimit të ndonjë vatre zjarri.

