Gjashtë të rinj italianë mbërritën për pushime në datën 29 korrik në Tiranë, por pushimet e planifikuara prej tyre iu kthyen në "ferr" që në ditën e parë sepse u kërcënuan dhe u dhunuan nga rreth 20 adoleshentë.
Të rinjtë nga Basilicata, pasi përfunduan provimet erdhën për disa ditë relaksi në Shqipëri por qëndruan vetëm për një ditë dhe u larguan. Njëri prej tyre ka treguar për mediat italiane se teksa ishin në Tiranë një grup adoleshentëh u ishin afruar dhe i kishin pyetur se prej nga vinin, pasi ata iu përgjigjën që ishin italianë, grupi i adoleshentëve filluan fillimisht t’i ndiqnin duke i qëlluar më pas me gurë dhe shishe uji.
“Mbërritëm në Shqipëri, në Tiranë, më 29 korrik. Po atë mbrëmje, rreth orës 21:30, pasi bëmë dush, dolëm nga apartamenti që kishim marrë me qira për të shkuar për darkë. Ishim gjashtë veta. Sapo dolëm në rrugë, njëri prej nesh hyri në një dyqan të vogël për të blerë një shishe ujë.
Në atë moment u afrua një grup djemsh vendas që na pyetën nga vinim. Ne thjesht u përgjigjëm se ishim italianë. Filluan të ecnim drejt Sheshit Skënderbej, sheshit kryesor, kur ky grup – rreth 20 djem shumë të rinj, nga 16 deri në 18 vjeç – filloi të na ndiqte.
Filluan të na hidhnin ujë, shishe dhe madje edhe gurë. Në fillim u përpoqëm t’i injoronim dhe të vazhdonim rrugën, sepse sapo kishim mbërritur – ishte nata e parë e pushimeve tona – dhe sepse ishim në një vend të huaj dhe donim të shmangnim çdo problem.
Situata u përkeqësua papritur. Ata rrethuan njërin prej nesh dhe i kërkuan para, duke e kërcënuar drejtpërdrejt me thikë. Në atë moment njerëzit që ndodheshin aty filluan të largoheshin drejt policëve që ishin në zonë, ndërsa ky grup vazhdonte të na ndiqte duke hedhur gurë dhe duke goditur me grushte e shkopinj ata prej nesh që kishin mbetur prapa. Pothuajse të gjithë arritën të shpëtonin, përveç njërit. Ata e ndaluan, e goditën me grushte, e rrëzuan në tokë dhe vazhduan ta rrihnin edhe kur ishte i shtrirë.”, është shprehur i riu italian.
Teksa më tej ka shtuar se ata nuk u ndihmuan që në fillim nga autortetet: “Diçka e pabesueshme dhe shumë serioze ishte sjellja e agjentëve të parë të policisë që ndodheshin aty. Disa prej nesh kërkuan ndihmë të dëshpëruar, por ata bënë sikur nuk panë asgjë.
I kërkuam një kalimtareje numrin e emergjencës së policisë lokale për të thirrur ndihmë, por nuk morëm përgjigje. Fatmirësisht më pas ndërhynë policë të tjerë, të cilët arritën t’i largonin agresorët dhe thirrën ambulancën. Njëri prej nesh pësoi plagë dhe dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit dhe mori ndihmën mjekësore në vendngjarje.”
Kjo eksperiencë solli që të rinjtë të mos qëndronin më në vendin tonë por të largoheshin me fluturimin e parë drejt Italisë.
