Administratori i një anije turistike dhe kapiteni i saj janë proceduar penalisht nga Policia e Vlorës dhe materialet në ngarkim të tyre i janë dërguar Prokurorisë, pasi është konstatuar se vendoste muzikë me zë të lartë gjatë lundrimit në det.
Pas ankesave të qytetarëve, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në afërsi të zonës së Ujit të Ftohtë, në drejtim të Lungomares, duke konstatuar një anije turistike që lëshonte muzikë me volum mbi normat e lejuara gjatë lundrimit.
Si rezultat i monitorimeve dhe reagimit ndaj telefonatave të qytetarëve, rreth orës 00:52, u konstatua anija turistike që lundronte nga zona e Ujit të Ftohtë në drejtim të Portit të Vlorës, duke lëshuar muzikë me volum mbi normat e lejuara dhe duke prishur qetësinë publike.
Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet iu referuan Prokurorisë, ku nisi procedimi penal për administratorin e anijes, shtetasin D. S., 22 vjeç, banues në Vlorë, dhe kapitenin e saj, shtetasin V. P., 39 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale "Prishja e qetësisë publike".
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 amplifikator dhe 2 bokse audio. Gjithashtu, ndaj subjektit u vendos masë administrative në vlerën 400 000 lekë të rinj.
Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet gjatë gjithë sezonit veror, duke marrë masa të menjëhershme ndaj çdo subjekti që cenon qetësinë publike dhe sigurinë e pushuesve.
