AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Opinion

Letër nga Uashingtoni: SHBA-ja synon të avancojë interesat e saj strategjike në Ballkan

Administrata Trump po e bën gjithnjë e më të qartë se Ballkanin e sheh si një hapësirë ku mund të avancojë interesat e saj tregtare, energjetike dhe të mbrojtjes – dhe jo si një terren për "ndërtimin e demokracisë".

Jovana DjurovicJovana DjurovicngaJovana Djurovic
1 month më parë
në Opinion
Koha e leximit: 8 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
trump s world cup trophy stage moment sparks viral photo debate 696x464
Presidenti amerikan Donald Trump me kupën në dorë, së bashku me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino. Foto: The White House / Wikimedia Commons (Public domain)

Përshëndetje nga Amerika, e cila këtë muaj shënoi 250-vjetorin e pavarësisë nga Kurora Britanike nën drejtimin e një presidenti që e ka quajtur veten mbret – dhe që shihet si i tillë edhe nga dhjetëra mijëra njerëz që iu bashkuan protestave “No Kings” në mbarë Shtetet e Bashkuara.

Donald Trump nuk lejoi që as “mbretërit” e futbollit, kombëtarja e Spanjës, fituese e Kupës së Botës, ta shijonin plotësisht momentin e tyre të triumfit këtë muaj. Pas dorëzimit të trofeut në stadiumin në Nju-Xhersi, ai qëndroi në skenë më gjatë se sa pritej. Një situatë e sikletshme u shmang falë presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, i cili e mori mënjanë presidentin amerikan, duke i lënë të kuptonte se kishte ardhur koha të largohej nga skena.

Ndërkohë, krahas euforisë futbollistike, memorandumi i mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit rezultoi më shumë një keqkuptim i madh sesa një marrëveshje mirëkuptimi. Lufta është përshkallëzuar, duke sjellë viktima të reja amerikane dhe rritje të çmimeve të karburanteve, ndërsa ka rikthyer në qendër të debatit një pyetje të pakëndshme: cili është në të vërtetë objektivi përfundimtar? Nëse synimi është të parandalohet zhvillimi i armëve bërthamore nga Irani dhe të shmanget një përshkallëzim i mëtejshëm i konfliktit në Lindjen e Mesme, atëherë përse Shtetet e Bashkuara po nënshkruajnë njëkohësisht një marrëveshje që do t’i lejonte Arabisë Saudite të zhvillojë të njëjtën kapacitet?

Ndërsa të gjitha këto po ndodhnin, politika e administratës Trump ndaj Ballkanit ka filluar të marrë një formë gjithnjë e më të qartë. Uashingtoni po angazhohet më agresivisht në sektorët që i konsideron strategjikë, si energjia, mbrojtja dhe infrastruktura, ndërsa përpiqet të kufizojë ndikimin e Rusisë, Kinës dhe Bashkimit Evropian në këto fusha. Shtetet e Bashkuara nuk duket se po i zgjedhin partnerët e tyre në bazë të nivelit të zhvillimit demokratik. Po ashtu, nuk duken veçanërisht të shqetësuara kur në Ballkan dëgjohen deklarata për “spastrime etnike”.

Serbia dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur procesin e ashtuquajtur “Dialog Strategjik”, më shumë se një vit pasi kjo nismë u njoftua për herë të parë. Për një pjesë të madhe të kësaj periudhe, pengesë ishin sanksionet ndaj kompanisë serbe të naftës NIS, e cila është pjesërisht në pronësi ruse. Më shumë se një shprehje vullneti të mirë, por më pak se një partneritet i plotë, Dialogu Strategjik është një instrument i politikës së jashtme amerikane që sinjalizon se Uashingtoni dëshiron të ndërtojë interesa të përbashkëta afatgjata me një shtet tjetër. Në përputhje me stilin që presidenti amerikan preferon në marrëdhëniet ndërkombëtare, ka pak arsye për të dyshuar se marrëveshje të tilla kanë edhe një dimension transaksional. Edhe pse detajet nuk janë bërë ende publike, ato u japin të dyja qeverive mundësinë t’u paraqesin qytetarëve të tyre një histori suksesi.

Zyrtarët në Beograd e cilësuan nisjen e Dialogut Strategjik si një “ditë historike”, por në Uashington gjithçka u duk si një ditë e zakonshme pune dhe zhvillimi nuk tërhoqi vëmendjen e mediave amerikane. Deklarata e përbashkët përmbante pak elemente surprizë dhe prioritetet ishin të qarta: frenimi i ndikimit rus dhe kinez kudo që të ishte e mundur, ndërsa njëkohësisht avanconin interesat strategjike dhe tregtare të Shteteve të Bashkuara.

Interesi kryesor është energjia – prioriteti absolut i Trump-it në rajon. Të dyja vendet konfirmuan vazhdimin e pjesëmarrjes së kompanive amerikane në ndërtimin e hidrocentralit reversibël “Gjerdap 3”, ndërsa “elefanti në dhomë” – kompania e naftës NIS, e goditur nga sanksionet – mungonte në mënyrë të dukshme në deklaratën e përbashkët.

Megjithëse Uashingtoni synon ta zbehë ndikimin rus në tregun energjetik të Serbisë, administrata Trump ka treguar njëkohësisht durim të konsiderueshëm ndaj Moskës dhe, për momentin, nuk ka shenja se Dialogu Strategjik do ta detyrojë Beogradin t’i kthejë shpinën Rusisë, me të cilën ka një partneritet strategjik që prej vitit 2013. Një tregues i rëndësishëm mund të vijë në fund të muajit, kur do të shihet nëse Uashingtoni do ta zgjasë edhe një herë licencën që i lejon rafinerisë të vazhdojë aktivitetin, si edhe nëse do të shtyjë afatin për negociatat mbi blerjen e mundshme të aksioneve ruse në NIS nga kompania hungareze e energjisë MOL.

Ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara në sektorin e teknologjisë, ku Uashingtoni konkurron drejtpërdrejt me Kinën, ka qenë shumë më pak e tërthortë. Serbia ka një partneritet strategjik gjithëpërfshirës me Kinën që prej vitit 2016, ndërsa Dialogu i ri Strategjik parashikon garanci nga Banka Amerikane e Eksport-Importit për një kredi ndaj Telekom Srbija, me qëllim zhvillimin e rrjetit të saj 5G. Kjo duket se është vazhdim i presionit të ushtruar që në Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar gjatë mandatit të parë të Trump-it, e cila i kërkonte Serbisë të largonte nga ky sektor të gjithë “furnizuesit që nuk konsiderohen të besueshëm” – me fjalë të tjera, kompaninë kineze Huaëei.

Zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, së bashku me angazhimin e Serbisë për të blerë pajisje ushtarake amerikane, siç thuhet në deklaratën e përbashkët, mund të shërbejë gjithashtu si kundërpeshë ndaj blerjeve masive të armëve kineze nga Beogradi. Kjo ka rëndësi edhe për faktin se municionet serbe kanë përfunduar në fushëbetejën në Ukrainë, ndërsa Beogradi ka zgjeruar edhe marrëveshjet për furnizim me armë me Izraelin.

Serbia ka arritur të ulet në disa karrige njëkohësisht, madje edhe në hapësirë. Në Uashington, ajo iu bashkua programit Artemis të NASA-s për eksplorimin e hapësirës, ndërkohë që ka tashmë marrëveshje të ngjashme bashkëpunimi edhe me Rusinë dhe Kinën. Kjo politikë e jashtme kontradiktore nuk ka kaluar pa u vënë re. Një grup anëtarësh të Kongresit amerikan kanë paraqitur një rezolutë që kërkon zhvendosjen e sesionit vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për vitin 2027 nga Serbia, pikërisht për këtë arsye.

Jehonë gjuhës së Millosheviçit

Një ditë para nisjes së Dialogut Strategjik, një ministre e qeverisë serbe, përgjegjëse për administratën publike dhe vetëqeverisjen lokale, bëri një deklaratë që, nën administratat e mëparshme amerikane, mund të kishte hedhur një hije të rëndë mbi marrëdhëniet dypalëshe. Snezana Paunoviç, nga Partia Socialiste e Serbisë, partia e dikurshme e Sllobodan Millosheviçit, deklaroi se, po të kishte qenë në vendin e Millosheviçit në vitin 1998, ajo do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën.

Pasi deklarata e saj shkaktoi tronditje te një pjesë e opinionit publik – dhe ndoshta i siguroi disa vota nga një pjesë tjetër, në prag të zgjedhjeve që pritet të mbahen në Serbi – Paunoviçi u “korrigjua”, duke thënë se në të vërtetë kishte dashur të përdorte fjalën “dëbim”.

Megjithatë, në anën tjetër të Atlantikut, përdorimi i termit “dëbim” është bërë gjithnjë e më i zakonshëm dhe dëgjohet çdo ditë nga një administratë që arreston dhe dëbon emigrantë.

Bashkimi Evropian dhe disa vende evropiane deklaruan se ishte e paimagjinueshme që Paunoviçi të vazhdonte të mbante postin e ministres. Uashingtoni reagoi vetëm pas një kërkese për koment nga Gazeta Express e Kosovës, duke përsëritur mesazhin e zakonshëm, të vakët, për paqen, stabilitetin dhe normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa u bëri thirrje udhëheqësve politikë të përdornin “gjuhë konstruktive”.

Nuk është sekret se administrata Trump ka pak durim ndaj Kosovës. Dialogu Strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës u pezullua në shtator të vitit 2025 për shkak të asaj që Uashingtoni e përshkroi si veprime të kryeministrit të atëhershëm, Albin Kurti, që cenonin stabilitetin rajonal. Tani, Uashingtoni ka sqaruar se Dialogu Strategjik do të rinisë vetëm pasi Prishtina të përmbushë detyrimet e saj ndaj komunitetit serb në Kosovë, të marra përsipër në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili edhe vetë ka mbetur në ngërç prej një kohe të gjatë.

Në Kosovë, disa e interpretuan nisjen e Dialogut Strategjik mes SHBA-së dhe Serbisë si një dështim diplomatik të Prishtinës. Në fakt, ministri i Jashtëm serb, Marko Djuriç, deklaroi se, për Beogradin, ky dialog përbën gjithashtu një instrument të rëndësishëm për mbrojtjen e interesave të serbëve në Kosovë dhe në entitetin e Republikës Srpska në Bosnje, edhe pse asnjëra prej këtyre çështjeve nuk përmendet në deklaratën e përbashkët.

Dodiku forcon lidhjet me MAGA-n

Megjithatë, serbët e Republikës Srpska duket se po ia dilnin mjaft mirë edhe përpara nisjes së Dialogut Strategjik. Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, është shndërruar në një aktor kyç në avancimin e interesave amerikane në Bosnje, ndërsa njëkohësisht po forcon lidhjet me lëvizjen MAGA dhe me Izraelin, duke lobuar paralelisht për pavarësinë e Republikës Srpska dhe duke ruajtur marrëdhënie të ngushta me Rusinë.

Uashingtoni nuk duket se shqetësohet nga këto kontradikta, për sa kohë që Dodiku mbështet ndërtimin e gazsjellësit të Interkonjeksionit Jugor. Pengesa kryesore – ligji për pronën shtetërore – ende nuk është kapërcyer, edhe pse Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt, është larguar nga detyra. Amerikanët dhe evropianët vazhdojnë të mos bien dakord për pasuesin e tij, ndaj detyra aktualisht ushtrohet nga diplomati amerikan Louis Crishock.

Ndërkohë, Dodiku njoftoi se traseja e autostradës Bijelinë–Brçko do të ndryshohet për të përshpejtuar ndërtimin e saj. Disa media në Bosnje kanë raportuar jozyrtarisht se projekti fillimisht ishte parashikuar të zbatohej nga kompani kineze dhe se arsyeja e vërtetë e ndryshimit të trasesë mund të jetë ndërrimi i investitorëve – me fjalë të tjera, zëvendësimi i kompanive kineze me kompani amerikane.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë një lëvizje të rëndësishme edhe në Mal të Zi, vendin e Ballkanit Perëndimor që konsiderohet më pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Uashingtoni ka nënshkruar një marrëveshje ndërqeveritare me Podgoricën, duke u hapur rrugë kompanive amerikane të marrin pjesë në projekte strategjike në fushat e energjisë, infrastrukturës, teknologjisë dhe mbrojtjes. Detajet e marrëveshjes nuk janë bërë ende publike, por gjithçka duket në përputhje me përpjekjet e administratës Trump për të rritur ndikimin e saj dhe për të avancuar interesat tregtare amerikane në Ballkan.

Dhe, duke folur për interesa tregtare, këtë muaj u shfaq një zhvillim interesant lidhur me projektin në Shqipëri të dhëndrit të presidentit amerikan. Sipas Reuters, duke cituar hetimin e Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë, biznesmeni që u shiti toka në jug të Shqipërisë kompanive të lidhura me Jared Kushner dyshohet se ka falsifikuar dokumentet e pronësisë për këto prona.

Për Artur Shehun, i cili jeton në Majami, është lëshuar një urdhër arresti nën dyshimet për trafik droge dhe pastrim parash, akuza që ai i ka mohuar. Kjo është vetëm pengesa më e fundit në një varg problemesh që kanë shoqëruar projektin e resortit luksoz në Gjirin e Nartës dhe në Ishullin e Sazanit, një projekt që kundërshtohet nga shumë qytetarë shqiptarë, por mbështetet nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.

Deri tani, nuk ka asnjë shenjë se Kushner ka hequr dorë nga projekti. Dhe pse do ta bënte? Kur bëhet fjalë për fitime, investitorët e huaj jo gjithmonë tregohen të ndjeshëm ndaj korrupsionit të mundshëm apo shkeljeve të ligjit, për sa kohë që autoritetet vendore janë partnerë të gatshëm, duke mbrojtur interesat e tyre në këmbim të pjesës së tyre të përfitimit.

Në të dy anët e Atlantikut, pyetja nuk është më nëse korrupsioni ekziston, por sa të gatshme janë institucionet ta përballin atë – dhe nëse janë të afta t’i nxjerrin përgjegjësit përpara drejtësisë.

Jovana Djuroviç është gazetare me seli në Uashington.

Opinionet e shprehura janë ato të autores dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikërpamjet e BIRN.

Etiketa: BallkaniDonald TrumpEdi RamaJared KushnerKosovaMali i ZiMilorad DodikSerbiaShqipëria
Tjetri
mbledhje e klgj

ILD kërkon uljen e përkohshme të pagës së një gjyqtareje

photo 2026 09 02 21 35 41

Mbyllja e faqeve të mediave në platformat e Meta-s alarmon gazetarët shqiptarë

21:41 | 05/09/2026
edhe një herë për çmimin e bananeve

Edhe një herë për çmimin e bananeve

09:31 | 05/09/2026
Traumë e trashëguar: Si i mundon ende të rinjtë lufta e Bosnjës

Vuçiçi i cilëson “budallallëqe” kritikat e BE-së ndaj nderimeve për Mlladiçin

17:50 | 04/09/2026
viber image 2026 09 04 14 05 08 143 1536x1152

Kosova padit zyrtarë serbë të sigurisë për masakrën në kompleksin e familjes Jashari

17:26 | 04/09/2026
protesta te 3 shi

Gjykata i shpall të paligjshme arrestimet e 14 protestuesve te Kryeministria

17:24 | 04/09/2026
klp bosh

KLP e kthen garën për kryeprokurorin e ri në ‘një lojë kungulleshkash’

15:27 | 04/09/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.