Foto ilustrim: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Vdes një burrë pasi u godit me veturë në fshatin Llabjan
Një person ka humbur jetën në një aksident trafiku që ka ndodhur mbrëmjen e 28.08.2026 në aksin rrugor Gjilan–Prishtinë, në fshatin Llabjan.
Sipas të dhënave të Policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 22:08, ndërsa viktimë është një këmbësor, i lindur në vitin 1963.
Nga hetimet fillestare dyshohet se këmbësori është goditur fillimisht nga një automjet me targa vendore, i cili drejtohej nga një burrë tjetër.
E KALLXO.com mëson se ishte një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare që goditi me veturë fillimisht viktimën.
Pas përplasjes së parë, këmbësori dyshohet se është goditur edhe nga një automjet tjetër që ishte duke kaluar në kahun e kundërt.
Përplasjet kanë qenë fatale për këmbësorin, i cili ka pësuar lëndime të rënda dhe ka humbur jetën në vendin e ngjarjes. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor.
Pas rastit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkohë, të dy drejtuesit e automjeteve janë ndaluar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë, me vendim të autoriteteve kompetente.