Ferizaj: Vijojnë kërkimet për gjetjen e Hamëz Ismalit
Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, banorët e Ferizajt dhe fshatit Komogllavë, Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, si dhe anëtarë të tjerë të Shoqatës, gjatë tri ditëve të fundit kanë marrë pjesë aktive në kërkimin e personit të humbur, Hamëz Ismali, 80 vjeç, nga Ferizaj.
Hamëz Ismali është larguar nga shtëpia më 17 gusht dhe që nga ajo kohë nuk është kthyer në shtëpi.
Gjatë këtyre ditëve është bërë sensibilizimi i qytetarëve për rastin, ndërsa janë zhvilluar kërkime në zona urbane dhe rurale, përfshirë edhe përdorimin e dronëve dhe kërkimet në terren nga ekipet e angazhuara.
Nga SHKKSH-ja bëjnë me dije se, pavarësisht përpjekjeve të deritanishme, personi ende nuk është gjetur.
Në bashkëpunim me banorët e fshatit Komogllavë dhe Policinë e Kosovës, kërkimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
“Çdo informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e z. Hamëz Ismali është i mirëpritur. Ju lutemi, çdo informacion të rëndësishëm ta përcillni tek Policia e Kosovës ose tek ekipet e angazhuara të SHKKSH-së” thuhet në njoftim.

