75 Mall Live Search
23:59 / E Premte, 04 Shtator 2026 / AR

4 shtatori që hyri në histori: Shqipëria mposhti kampionët e Europës, por festa u kthye në tragjedi

4 shtatori i vitit 2004 mbetet një nga datat më të veçanta në historinë e futbollit shqiptar, por edhe një ditë e paharrueshme për një arsye tragjike.

Në stadiumin “Qemal Stafa”, Shqipëria e Hans-Peter Briegelit mposhti Greqinë me rezultat 2-1, vetëm pak javë pasi grekët ishin shpallur kampionë të Europës në “Euro 2004”, shkruan Indeksonline.

Ervin Murati dhe Adrian Aliaj shënuan për kuqezinjtë, ndërsa për Greqinë realizoi Janakopulos. Fitorja shkaktoi festë të madhe në Tiranë, me mijëra tifozë që dolën në rrugë për të festuar një prej triumfeve më të bujshme të Kombëtares.

Por, ndërsa në Shqipëri festohej, në ishullin grek të Zakynthosit ndodhi një tragjedi.

20-vjeçari shqiptar Gramoz Palushi, i cili po festonte fitoren e Kombëtares, u përfshi në një konflikt dhe, sipas raportimeve të kohës, u godit me thikë duke humbur jetën.

Kështu, një natë që për shqiptarët nisi me një fitore historike ndaj kampionëve të Europës, për familjen e Palushit u shndërrua në një tragjedi të pakthyeshme.

22 vjet më vonë, 4 shtatori 2004 mbetet në kujtesë si nata e një prej fitoreve më të mëdha të Shqipërisë, por edhe si një kujtesë e dhimbshme se si festa dhe rivaliteti sportiv mund të përfundojnë në tragjedi. /IndeksOnline/