400 mijë euro për 6 automjete, Shërbimi Korrektues hap tenderin për transportin e të burgosurve
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka hapur tender në vlerë të parashikuar prej 400 mijë eurosh për furnizimin me automjete për Njësinë e Transportit të Burgosurve.
Sipas njoftimit për kontratë, procedura përfshin furnizimin me tri automjete kombi dhe tri automjete xhip, të ndara në dy grupe. Kontrata do të jetë marrëveshje publike kornizë me një operator ekonomik dhe do të ketë kohëzgjatje prej 24 muajsh, shkruan IndeksOnline.
Për grupin e parë parashihet furnizimi me tri kombi, ndërsa për grupin e dytë tri xhipa për nevojat e Njësisë së Transportit të Burgosurve.
Procedura është e hapur, ndërsa kriter për dhënien e kontratës është çmimi më i ulët. Për secilën pjesë kërkohet edhe siguri e ekzekutimit në vlerë prej 10 për qind të kontratës.
Shërbimi Korrektues ka përcaktuar edhe kriteret financiare për operatorët ekonomikë. Për pjesën e parë kërkohet qarkullim vjetor prej së paku 200 mijë euro, ndërsa për pjesën e dytë së paku 300 mijë euro, gjatë tri viteve të fundit fiskale. Po ashtu, operatorët duhet të dëshmojnë përvojë në realizimin e kontratave të ngjashme.
Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 15 shtator 2026, në ora 13:30, ndërsa hapja e tenderëve do të bëhet në të njëjtën kohë.
Në arsyetimin për shkurtimin e afatit të tenderit, Shërbimi Korrektues thotë se procedura e mëparshme për furnizimin me automjete kombi dhe xhipa ishte anuluar, duke shkaktuar vonesa.
Institucioni thekson gjithashtu se, bazuar në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, ekziston obligimi për sigurimin e këtyre automjeteve në afatin sa më të shkurtër. Sipas arsyetimit, përshpejtimi i procedurës synon që kontrata të realizohet brenda vitit buxhetor dhe të shmanget rreziku i humbjes së mjeteve të planifikuara./IndeksOnline/

