Situata e zjarreve në vend vijon të mbetet problematike, me 27 vatra të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas të dhënave, tre vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa situata më e vështirë paraqitet në qarkun e Dibrës, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.
Në zonën e Vajkalit, në Bulqizë, zjarri ka përshkuar mbi 18 hektarë sipërfaqe, ndërsa në terren vijojnë ndërhyrjet e forcave zjarrfikëse, strukturave të bashkisë dhe Forcave të Armatosura.
Probleme janë evidentuar edhe në zonat e Lundrës dhe Mallunxës, në Mat, ku era e fortë ka favorizuar përhapjen dhe riaktivizimin e flakëve.
Situata mbetet problematike edhe në zonën Dajt–Qafë Priskë, megjithatë autoritetet bëjnë me dije se aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.














