IGJEO ka paralajmëruar për rrezik të lartë të zjarreve në disa qarqe të vendit gjatë pasdites së sotme dhe ditës së premte.
Sipas njoftimit, niveli i rrezikut “i lartë” pritet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, ndërsa në Kukës, Dibër, Elbasan, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër rreziku parashikohet në nivel “të moderuar”.
Megjithatë, në zona të caktuara të këtyre qarqeve pritet të ketë rrezik të lartë. Konkretisht, bëhet fjalë për zonat verilindore të Kukësit dhe Beratit, jugperëndimin e Dibrës, lindjen e Elbasanit, perëndimin e Vlorës, si dhe veriun dhe jugun e qarkut të Gjirokastrës.
Në qarkun e Korçës pritet nivel rreziku “i ulët”.
IGJEO bën me dije se rreziku më i lartë pritet gjatë ditës së premte, kur temperaturat do të vijojnë të jenë të larta. Temperaturat maksimale parashikohen të arrijnë deri në 35 gradë Celsius në bregdet dhe 36 gradë në zonat e ulëta të vendit.
Sa i përket motit, pasditen e sotme priten reshje të dobëta të shoqëruara me shtrëngata në qarqet Elbasan, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera reshjet do të jenë të dobëta dhe lokale.
Ditën e premte nuk parashikohen reshje në të gjithë territorin.
Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet dhe zonat malore mund të arrijë për momente deri në e fortë.














