Një tjetër denoncim nga protesta përpara Kryeministrisë është bërë nga gazetari Osman Stafa, i cili ka vënë në dyshim deklaratat e qeverisë për shërbimet e trombektomisë dhe arteriografisë në sistemin publik shëndetësor.
Stafa deklaroi se kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë kishin njoftuar pak ditë më parë se pacientët me goditje ishemike do të mund të merrnin këto shërbime, por sipas tij, premtimi nuk është zbatuar.
Ai tha se shërbimet nuk po ofrohen në QSUT, ndërsa ngriti shqetësimin për pasojat që mund të ketë mungesa e trajtimit të specializuar për pacientët.
Gazetari akuzoi gjithashtu qeverinë për keqprioritizim të fondeve publike, pasi sipas tij paratë që duhet të shkojnë për shëndetësinë përdoren për projekte të tjera.
“Para tre ditësh kryeministri publikoi një status të ministres së shëndetësisë. U tha se nga sot qytetarët me goditje në kokë goditjet ishemike, do të kishin në shërbimin e tyre trombektominë dhe arteriografinë, dhe sot pas tre ditësh ata gënjyen. Sot shërbimet nuk jepen. Këto gënjejnë dhe mashtrojnë dhe bëjnë propagandë me vdekjen. Çfarë është kjo ndërhyrje që është një çmenduri që nuk ekziston në QSUT. Kryeministri dhe ministrja dalin publikisht e mashtrojnë.
Deri kur do t’i duroni? O shqiptarë nuk e kuptoni se po iu vrasin. Mungesa e kësaj pajisjeje të çon në vdekje e paralizë. Edhe shëndetësinë nuk ia japin se i çojnë paratë ku ata duan, te kopshti Eden, te inceneratorët, Tigri 1 dhe 2. Por te shëndetësia jo. Këta janë vrasës. Deri kur do të duroni. Shqiptarët duan një qeveri që t’u dalë për zot, dhe jo një që t’i gënjejë, mashtrojë e vjedhë.”, tha mes të tjerash gazetari.













