Shqipëria do të vijojë të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike kryesisht të qëndrueshme edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa temperaturat do të mbeten të larta.
Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti do të jetë kryesisht i kthjellët në pjesën më të madhe të vendit.
Në zonat kodrinore dhe malore priten vranësira të pakta deri mesatare, të cilat do të jenë më të dukshme gjatë mesditës dhe pasdites.
Nuk përjashtohen reshje shiu me intensitet të ulët në zonat malore, kryesisht gjatë orëve të mesditës dhe pasdites.
Ndërkohë, në territor do të vijojë prania e lartë e grimcave të rërës dhe pluhurit në ajër.
Era do të fryjë nga drejtimi veriperëndim–jugperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Në vijën bregdetare, veçanërisht në jugperëndim, si dhe në zonat luginore, era pritet të jetë më e fortë dhe të arrijë deri në 14 m/s.
Në det parashikohet valëzim i forcës 1–3 ballë.













