Fluksi i lëvizjeve në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinit vijon të jetë i konsiderueshëm, edhe pse sezoni veror po i afrohet fundit.
Gjatë ditëve të fundit, shumë udhëtarë nga Kosova kanë zgjedhur sërish Shqipërinë për të kaluar fundjavën në bregdet, duke përfituar edhe nga temperaturat e përshtatshme. Për një pjesë të tyre, kjo është vizita e dytë apo edhe e tretë në vend gjatë kësaj vere.
Të dhënat e 24 orëve të fundit tregojnë se në territorin shqiptar kanë hyrë 52,864 shtetas, së bashku me 13,531 automjete. Në të njëjtën periudhë, Shqipëria është lënë nga 35,072 shtetas dhe 11,238 automjete.
Edhe bilanci i pesë ditëve të fundit dëshmon për një lëvizje të lartë në Morinë. Nga data 24 deri më 28 gusht, në Shqipëri kanë hyrë përmes kësaj pike kufitare 152,694 shtetas dhe 46,870 automjete, ndërsa në dalje janë regjistruar 121,846 shtetas dhe 37,148 automjete.
Morini mbetet një prej pikave më të rëndësishme të qarkullimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Autoritetet vijojnë punën për menaxhimin e fluksit dhe për lehtësimin e procedurave në mënyrë që lëvizja e udhëtarëve të vijojë pa krijuar vonesa të mëdha.













